Ka kaluar pa vëmendjen e duhur miratimi i një ligji tepër të rëndësishëm, i cili konsiston në rritjen e sigurisë për fëmijët, vajzat dhe gratë nga sulmet seksuale. Në 21 korrik të vitit 2022, Kuvendi miratoi ligjin për regjistrin me emrat e personave të dënuar për krime seksuale nga viti 1995 e deri më tani. Në 5 gusht 2022, ligji u deklarua nga presidenti Bajram Begaj. Në datën 15 gusht ligji u botuar në Fletoren Zyrtare, duke hyrë në fuqi në fillim të muajit shtator.
Për të hartuar dhe bërë të aksesueshëm regjistrin për të dënuarit për krime seksuale janë ngarkuar me ligj ministri i Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ministri i Brendshëm dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Regjistri duhet të vihet në funksion brenda muajit shkurt të vitit 2023.
Ku mund të gjendet lista dhe çfarë përmban? Lista e të dënuarave për krime seksuale do të gjente në një dritare të veçantë në e-Albania. Të dhënat përfshijnë emër/mbiemër, një fotografi të autorit, numër vendimi, datë, gjykata që ka dhënë vendimin, lloji i veprës penale dhe masa e dënimit të dhënë, të dhëna që lidhen me veprën penale, gjendja familjare, vendbanimi etj. Informacioni ruhet dhe përditësohet deri në ditën e vdekjes të të dënuarit për krime seksuale.
Nëse një qytetar ka dyshime për një person që i afrohet atij apo fëmijëve, mjafton të mësojë emrin dhe mbiemrin e tij, dhe në këtë mënyrë, përmes sistemit, mund të verifikojë nëse personi ka qenë apo jo i dënuar më parë për një krim seksual. Qytetarët nuk mund të kenë akses në të dhënë të tjera, si për llojin e krimit, shkallën e dënimit etj. Në të dhënat e plota do të kenë akses organet e policisë, të cilat kanë për detyrë edhe përditësimin e të dhënave.
Policia më pas informon për çdo ndryshim në të dhëna Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashkinë ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin i dënuari për krime seksuale, organizatat jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e fëmijëve, Departamentin e Administratës Publike për verifikimin e figurës së nëpunësit si dhe sistemin shkollor parauniversitar për verifikimin e figurës së mësuesit/edukatorit.
Në ligj parashikohet që disa institucione publike ose private, përpara se të emërojë një person, ka detyrimin të kërkojë verifikim nëse personi figuron në listën e zezë. Këtë detyrim e kanë organet publike ose private për punësimin e mësuesve në çdo nivel të sistemit parauniversitar,
Infermierët dhe mjekët, kujdestar ligjor jo prind, punonjës i institucioneve të përkujdesjes shoqërore, qendra komunitare, familje kujdestare, edukatorë apo predikuesit në institucionet fetare, që kanë akses te fëmijët, punonjës bashkiakë në qendra ose institucione kulturore, qendra trajnimi apo sportive, edukatorë në sistemin parashkollor, trajnerë ose staf ndihmës në çdo lloj sporti që ndiqet nga fëmijët, punonjës për organizatat joqeveritare që punojnë në mbrojtje apo kujdesen për fëmijët si dhe çdo marrëdhënie punësimi, veprimtaria e të cilës ka lidhje me fëmijët.
Të dënuarit për krime seksuale nuk mund të ushtrojnë asnjë nga këto profesione, qoftë në institucione publike apo private. Nëse një i punësuar apo kandidat për t’u punësuar rezulton se është pjesë e listës së zezë, ai transferohet menjëherë në një sektor tjetër që nuk ka të bëjë me fëmijët. Gjithashtu, ata duhet të raportojnë çdo lëvizje vendbanimi si dhe kur lëvizin jashtë vendit, ndryshe përballen me gjoba të rënda që shkojnë deri në 10 mijë USD. Pjesë e këtij regjistri do të jenë dhe shtetasit e huaj që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë./Shqiptarja