Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV ishte i ftuar muzikanti Arqile Hëna, për të na treguar një tjetër histori jetë mbresëlënëse.
Teksa na tregoi për varkën që e ndërtoi vetë me kallama dhe dallgët e frikshme që e shoqëruan deri në Itali, ndau me ne pak nga muzika e tij dhe pengun që e sillte vazhdimisht në Shqipëri, aty ku ka kokën dhe zemrën.
“Në Fier vij se më merr malli, për ato kohë që kemi kaluar dhe për njerzit. Unë jamë marrë edhe me festivalet dhe tani së fundmi me Ansamblin Margarita Xhepa kemi dhënë një koncert në Astir në Tiranë, dhe festën e grurit në qershor. Unë jam edhe muzikant dhe këngëtar dhe kam marrë pjesë në shumë festivale. Në kohën kur isha në shkollë kam kënduar me Kleopatra Skarcon dhe Drita Mersinin.
Siç thashë, unë jam një njohës i mirë i detit dhe me varkën që ndërtova isha i sigurtë. Madje natën e dytë kur më spostoi stuhia pata frikë, jo se do mbytesha por nuk e di a do arrija në Itali apo do dilja nga Afrika, ose në Francë, por më ndihmoi fati që gjatë rrugëtimit, unë zgjodha dy shufra preva edhe një copë plastmas sepse në atë kohë po frynte dhe shumë erë dhe bëra një si tip vele dhe më ndihmoi që unë në orën 4 e gjysëm të natës të dytë të shihja një dritë dhe nuk e dija ku isha pasi ndërrova edhe kursin, por qëlloi që ishte Brindisi. Kisha një përgjegjësi të madhe për të tre shokët që kisha me vete. Kur arritëm ne na ndau Policia dhe nuk e di ku kanë shkuar se u shpërndamë.
Tani pas 31 vitesh unë mendoj që ia vlejti sepse aty bashkë me familjen nuk kisha ndonjë perspektivë. Pas viti 99 unë u ktheva që të hapja një biznes dhe e bëra por regjimi siç ishte në atë kohë ma prishi sepse hapa një lokal në buzë të Semanit ku nuk kishte asgje por ma prishën. Edhe ca lekë që kisha nga Italia një shumë të madhe i çova te Gjallica te firmat piramidale dhe kur falimentoi në atë kohë i humba. Arrita në zero aq sa nuk kisha lekë të ikja në Itali dhe shkova tek kisha katolike në Fier dhe u kërkova të më ndihmonin. Gruan e kisha në Fier, nuk e mora me vete sepse shumë vonë e mora me vete në Itali. Shkova dhe ia nisa nga zero, nga e para sepse ato që kisha humbur nuk i mora dot mbrapsht. Më pas erdha sërish punova disa kohë në dasma si dixhej dhe mora ca lekë, se ishte koha që këtu nuk kishte shumë dixhej shumë në Shqipëri dhe pastaj ika prap në Itali sa arrita të sistemoja djalin dhe vajzën. Tanimë ikja me traget se kur e kujtoj sa kemi sakrifikuar me varkën me kallama, kemi ikur vetëm me një shishe ujë dhe kur na mbaroi lagia buzën me ujë deti. Tani kur ia tregon njerëzve iu duket e pabesueshme.
Të gjithë këtu në Fier e dinë si histori, madje kur jam kthyer për herë të parë në 92 të gjithë më thoshin që më kishin parë në televizor në RAI 2, RAI 3 kur dhashë intervistë. Madje në atë kohë edhe i gënjenin njerëzit, prë 6 muaj më dinin të vdekur dhe vëllezërit e mi vinin shikonin anës detit mos gjenin ndonjë shenjë. Nuk kisha ku të komunikoja, pas 6 muajsh që kisha shkuar në Itali mora në telefon Tiranën, Tirana mori Durrësin dhe Durrësi mori Fierin dhe në fund Semanin që lajmëruan familjen time sepse nuk kishte telefona në atë kohë. Pas 96 filluan telefonat e vegjël që njerëzit komunikonin.
Unë në këtë moshë që jam pensionist nuk dua të jetoj më në Itali në këtë kohë. Megjithë atë shoqëri që unë kam këtu dëshiroj që pjesën tjetër të jetës sime ta kaloj këtu. Pamundësia këtu me pensionet e vogla që marrin njerëzit këtu nuk ia del dot. Unë nga Italia marr 1 mijë euro ilaçe në muaj, bëj 4 insulina në ditë dhe ilaçet për zemrën dhe tensionin që vuaj. Këtu insulina nuk është falas. Për shkak të këtyre problemeve nuk mundem të jetoj këtu dhe më vjen keq për vendin tim. Unë kam punuar në gjithë Evropën dhe e njoh më mirë se ata që jetojnë vet atje dhe vend më të bukur si për klimës ose për çdo gjë tjetër, nuk ka vend më të bukur se Shqipëria. Unë nuk dua të jetoj jashtë por për shkak të këtyre arsyeve nuk mundem të jetoj këtu”, u shpreh ai në Dritare TV./m.j