Lufta në Ukrainë, e shkaktuar nga vendimet e Kremlinit në shkurtin e kaluar, pas një serie të pafundme shkatërrimesh, viktimash, sulmesh dhe kundërpërgjigjesh mes Moskës dhe Kievit, po i afrohet betejës që premton se do të vendosë fatet e saj.
Kjo betejë po i afrohet gjithmonë e më shumë qytetit të Kherson, në jugun e vendit, një nga qytetet e para të rëndësishme që ranë nën kontrollin rus, dhe që aktualisht bllokon daljen e sigurt në Detin e Zi të Kievit, duke rrezikuar në mënyrë periodike portin kryesor të vendit Odesën.
Prej javësh, autoritetet ruse kanë filluar një proces evakuimi të popullsisë, në përgatitje të një beteje të përgjakshme urbane që mund të luftohet rrugë më rrugë, duke përdorur qindra mjete ushtarake që tashmë ndodhen aty nga pala ruse, dhe po afrohen çdo ditë e më shumë nga pala ukrainase.
Por rëndësia e betejës për Kherson shkon përtej fatit të një qyteti, qoftë ai strategjik, përtej vetë Ukrainës.
Dje, mes tensioneve të shumta në veriun e Kosovës, presidenti serb Aleksader Vucic gjeti kohën për t’u shprehur pikërisht mbi situatën në Kherson. “Kemi përballë një moment të vështirë, dimri i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë se ky. Po përballemi me betejën e Stalingradit, betejën vendimtare për luftën në Ukrainë, ku të dy palët përdorin mijëra tanke, avionë, artiljeri. Perëndimi mendon se në ketë mënyrë do të shkatërrojë Rusinë, Rusia mendon se në këtë mënyrë do të mbrojë atë që ka marrë në fillim të luftës, duke i dhënë fund dyluftimeve. Kjo gjë do të krijojë probleme kudo”.
Burimet e agjencive të inteligjencës mbështesin deri diku fjalët e Vucic. Në Uashington dhe në Bruksel, një fitore e Kievit në Kherson mund të paraqitej si linja e kuqe që do t’i lejonte kancelaritë perëndimore të fillonin një presion tek Kievi dhe Moska, për t’u ulur në tavolinën e negociatave, duke filluar nga një armëpushim të paktën gjatë dimrit.
Sulmet e shumta ruse në drejtim të centraleve energjetike ukrainase po e vejnë në gjunjë vendin nga pikëpamja e ngrohjes, në një moment kur temperaturat në atë vend po ulen dhe në pak javë do fillojnë të bëhen të padurueshme për popullsinë, veçanërisht në metropolet ku ngrohja me dru është më e vështirë, siç pohon edhe vetë kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.
/a.r