Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të jetë në varësi të Policisë së Shtetit. Ky është mendimi dhe qendrimi i Kreut të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Lajmin e bëri të ditur vetë kryepolici, i cili ishte i pranishëm në emisionin “Tonight” të Ilva Tares në “Ora News”. Duke folur për ngjarje të aktualitetit, luftën ndaj narkotizmit, si dhe pjesë të tjera të rëndësishme në punën e policisë, Çako u ndal edhe te çështja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ai pranoi rëndësinë e institucionin, duke thënë se është prioritet i qeverisë. “Byroja e hetimit ka qenë një nga prioritetet e qeverisë, ne kemi punuar me ekspertë të huaj për të formatuar një strukturë që do të operonte në investigimin, por edhe rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. Janë krijuar disa drafte që mundësonin ngritjen e Byrosë që do të funksionojë në bazë të policsë, por edhe nën mbikqyrje të vazhdueshme nga Prokuroria. Në mendimin tim kjo strukturë duhet të jetë në varësi të policisë, sepse do të bëjë të domosdoshme hetimin. Çdo varësi tjetër nuk do të mundësonte gjurmimin policor”, tha Çako.
Lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit, politika është dyjëzuar për strukturën mbi të cilën ky institucion i ri do të jetë varur. Opozita kërkon që Byroja të ketë varësi nga Prokuroria, teksa Qeveria kërkon që këtë t’ja besojë Ministrisë së Brendshme.