Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka folur për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Kolegjit të kryetarëve të PD-së në Fier.
Ai u shpreh se PD-ja e ka detyrim që në momentin që ka lindur si parti që të marrë pjesë në çfarëdo procesi zgjedhor. Ai u ndal te zgjedhjet e 2019-ës, ku opozita la mandatet dhe nuk mori pjesë në zgjedhje.
Alibeaj: Nëse në 2019 nuk morëm pjesë në zgjedhje, tashmë kemi treguar që ishte një gabim. PD-ja zyrtare e ka për detyrim për të dalë në zgjedhje me kandidatët e saj në çdo bashki, në çdo këshill. Nuk jemi ne shkaktarët për atë që ndodhi në mars, kurrsesi. Përgjatë këtij viti, nga ana jonë asnjëherë nuk janë lëshuar as sinjale, nuk kemi qenë ne shkaktarët e ndarjes. Kemi bërë maksimumin që ndarja të mos ndodhte.
Ai shtoi se do të marrin pjesë në zgjedhje dhe la ende të hapur mundësinë e bashkimit të demokratëve.
Alibeaj: Ne e bëmë dhe aktin e fundit. Është pikërisht shtrirja e dorës që të dalim me një kandidat të vetëm fitues. Të jetë një kandidat baze, këto nuk janë zgjedhje politike, janë zgjedhje administrative. Zgjidhet i pari i bashkisë, ai njeri që do të jetë çdo ditë me qytetarët./m.j