Nga Ylli Pata
Edi Rama më shumë, por edhe drejtues të tjerë të mazhorancës më pak, po e rrisin dozën e akuzave ditë pas dite ndaj Sali Berishës, në lidhje me të ashtuquajturën “aferë ruse të PD-së”.
Jemi në një atmosferë parazgjdhore të hershme, e duket se përshkallëzimi i sulmeve do të marrë duke ardhur, forma dhe tone të ndezura e shumë të ndezura. Ndërkaq, nga ana tjetër, edhe Sali Berisha, nuk e ka lënë pa gjë kundërshtarin e tij, të cilin herë pas here e quan “vasal të Vuçiçit, njeriut të Putinit”.
Duke mos e llogaritur Ilir Metën, i cili shpërthen me hënë, duke premtuar se do ta thyejë në mes lepurushin, në këtë linjë, pra të akuzës si njeriu i Vuçiçit, Berisha ka aleat edhe Vjosa Osmanin dhe njerëzit e qeverisë së Albin Kurtit, duke nisur nga ministrja Donika Gërvalla.
Megjithatë, publiku shqiptar është mësuar me retorika të ashpra, edhe pse kujtesa e opinionbërësve politikë nuk se ka gjatësi vale në trajtimin real të lidhjeve apo tangenteve të Tiranës me politikën e Kremlinit.
Ku ndër vite ka pasur të dhëna, fakte, diskutime, madje prej vitit 2013 me anë të armëve kimike të Sirisë e më pas në çadrën e vitit 2017 cila “rastisi” me operacionin rus në Shkup, apo në 2019-n, ku televizioni RT jepte live sulmin me Molotov e me heshta para kryeministrisë.
Ky diskutim ka pasur dy anë në panelet e darkës, ku realisht nuk është shqetësuar askush për të analizuar realitetin, por thjesht janë përplasur fort e me kakofoni palët.
Megjithatë, në këtë zulm kakofonik, janë vënë re qëndrime të atypëratyshme, të cilat janë kthyer më pas në skeda apo vijë diskutimi, ku edhe janë kryqëzuar lidhjet, apo influenca e Vladimir Putinit në politikën shqiptare.
Jemi në kohën kur Sali Berisha sapo shpallet non grata prej qeverisë amerikane, me motivacionin tashmë të njohur të “Korrupsionit të rëndësishëm”, “pengim të drejtësisë” dhe “minim të demokracisë”.
Ky vendim, solli një çakërdisje të madhe, sidomos në mbështetësit mediatikë, që mërzitjen, mllefin, apo kundërshtimin e vendimit të SHBA, e kthyen në një qëndrim politik antiamerikan të diapazonit opozitar. i cili gjatë këtij udhëtimi njëvjeçar ka pasur shpesh ngjyra e zhvillime dramatike, që natyrisht ka ndikuar në majisjen e një opinion jo real politik të opozitës shqiptare. Pasi kemi të bëjmë me interesa apo inate thjesht për Sali Berishën, i cili po sipas këtyre mbështetësve “kishte 9 vjet që ishte tërhequr”.
E meqë ishte tërhequr, Sali Berisha mund të të vijonte betejën e vet personale dhe të familjes së tij për të ndrequr imazhin, pa e njollosur opozitën. Por mirë që e njollosi, por kemi parë edhe tangenciale mjaft të rrezikshme, që siç dhe janë publikuar në media, janë referuar nga qarqet e Moskës dhe Kremlinit.
E zhvillimi më i fortë në këtë rast, ka qenë pikërisht ai kur mbështetësit e tij, e relativizonin Non gratën e Sali berishës, me një ndëshkim jo kaq homolog të qeverisë amerikane për Milorad Dodik, Presidentin e Republika Srbska dhe aleatin më të dukshëm të Vladimir Putinit në Ballkan.
Mbështetësit e Berishës, duke ju referuar një takimi të Gabriel Escobar me Presidencën kolektive të Bosnjës, thanë se meqë SHBA takon dhe e trajton Dodikun që është një aleat i Putinit si intelekutor, të njëjtën gjë do ta bënin edhe me Berishën.
Natyrisht që ishte një justifikim për të krijuar çorientim tek njerëzit, por duhet parë se kush e ka ideuar këtë logjikë. Pasi pikërisht në atë argument Sali Berishën e kanë homologuar me veglën e Vladimir Putinit në Ballkan. Natyrisht ka edhe të tjera, por kjo ishte më e bujshmja si argument, që siç dihet doli një boomerang i madh…