Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ngritur si shqetësim fenomenin e shpopullimit, që sipas tij shkak është Rama dhe mafia në pushtet.
Në një komunikim me gazetarët, Meta u shpreh se të rinjtë shqiptarë për shkak se nuk kanë perspektivë në Shqipëri rrezikojnë jetën duke kaluar La Manshin.
Sipas tij, në vend që Rama të bashkëpunojë me autoritetet franceze dhe britanike, ai i bën përgjegjëse për këtë fenomen.
“Dua të shpreh edhe njëherë angazhimin e vendosur të PL për të ndaluar shpopullimin dhe njëkohësisht për ti dhënë fund kësaj drame të madhe të vendit tonë, shoqërisë tonë dhe cdo familje shqiptare.
Përshëndes angazhimin e lutjeve të kishës katolike për të reflektuar të gjithë dhe për tu bashkuar për të çrrënjosur arsyet që i nxisin të rinjtë për të kaluar La Manshin me gomone.
Është e qartë se i vetmi që nuk dëshiron të angazhohet në këtë drejtim është kryeministër i papërgjegjshëm i cili fajëson autoritetet britanike për një fenomen, atë të shpopullimit dhe të largimit nga vendi të të rinjve që i ka nxitur ai me politikat e tij kundër të rinjve, duke mos i krijuar asnjë mundësi për të qëndruar dhe punësuar në vend.
Mafia në pushtet shkaktarja kryesore e humbjes së perspektivës së këtyre të rinjve. Ndërkohë që qeveria duhet të ulë kokën për këto pasoja tragjike që i ka shkaktuar vendit dhe të forcojë bashkëpunimin me autoritetet franceze. Të bashkëpunojë më autoritetet britanike që t’i trajtojë me dinjitet qytetarët tanë”, tha Ilir Meta./m.j