Nga Alba Malltezi
Tani, pas disa ditësh që të gjithë e thamë mendimin tonë mbi infermieren e re të Pejës, e cila pa menduar, pa vënë zemrën para veprimit që “hakmarrja primitive” i tha të bëjë, goditi, përqeshi të moshuarën e sëmurë, faleni atë! “Më goditi e para”, tha. “Pak e kishte aq sa po i bëja”.
Edhe ne moralistët e gjithçkaje, ne që falim trafikantë vajzash e grash shqiptare dhe frekuentojmë restorantet, rezortet, baret luksoze që ata kanë ngritur kudo duke i quajtur me respekt biznesmenë. Ne që iu bëjmë reklamë bananeve me kokainë dhe bërtasim të gëzuar sa më shumë të na kenë paguar. Ne që blejmë apartamentet në ndërtimet e tyre, ne që marrim rrogat në bizneset e tyre, ne jemi, ishim, të pamëshirshëm me këtë vajzë.
Ne që bëhemi “tapetë” para politikanësh që kanë bërë keq e më keq sa ajo bëri në dhomat e shtëpisë së të moshuarve në atë kodrinë në Pejë, ne që admirojnë orat rolex e vilat miliona euroshe të gjyqtarëve e politikanëve tanë, ne që blejmë unaza, gjerdanë e bizhuteri të vjedhura me dhunë grave në Evropë, mirë e bëmë që u revoltuam. Por a jemi edhe ne “të fortë” me atë që nuk kemi frikë dhe servilë dhe admirues me kë është realisht i pasur dhe me pushtet?
Atëherë, duhet ta falim këtë vajzë e të shohim tek ajo të gjithë problemet që bartim si individë në tranzicionin tonë. Le të shërbejë infermierja e Pejës si një pasqyrë ku ne të shohim brenda vetes dhe të korrigjojmë, të kërkojmë, të përmirësohemi për t’u bërë më të mirë, më të drejtë, më të vërtetë.
Infermierja nga Peja do të ketë procesin e saj gjyqësor. Fëmijët e nënës së dhunuar, sa mirë, do ta marrin tashmë në shtëpinë e ngrohtë atë. Ne, në vend që të shpërthejmë tek ngjarja e radhës për të pritur tjetrën më pas, a mund të bëjmë diçka? Të ndalojmë. Të reflektojmë. Të mësojmë e të pyesim: Sa vetë mes nesh, afër nesh, sillen njësoj?