Ben Blushi sjell librin e ri për publikun shqiptar. Libri quhet “41 Sekrete”. Në një postim në Facebook politikani dhe shkrimtari shpjegon titullin dhe çfarë përmban libri i ri.
“Sot libri im i ri ka shkuar në shtypshkronjë. Është një libër që nuk besoja se do ta shkruaja ndonjëherë. Nuk është roman, nuk është novelë, nuk është ese, nuk është album fotografik.
Ky është një libër me sekrete dhe prandaj nuk di në çfarë kategorije ta përfshi. Dhe meqë është një libër sekretesh nuk mund ta mbaj më sekret.
Libri quhet “41 Sekrete”
Libri ka 41 personazhe të cilët kanë 41 sekrete.
Ata janë të njohur, të panjohur, burra, gra, të afërm, të huaj, njerëz që i dua, që me duan, që s’më duan ose që nuk kam pse t’i dua, janë të famshëm, të suksesshëm apo të dështuar, janë në punë, pa punë, në pension, janë aktivë, janë në luftë, janë sulmues, të sulmuar apo viktima, janë njerëz që shijojnë shkëlqimin e së tashmes apo yjet e të shkuarës, që jetojnë në errësirën apo perëndimin e një shoqërie të mbushur me kontraste dhe zhgënjime apo janë njerëz, jetët e të cilëve janë pjesë e pandarë e historisë së Shqipërisë në 100 vitet e fundit.
Ata më kanë besuar të fshehtat e tyre të mëdha ose të thjeshta, që nga histori tragjike familjare deri tek mënyra se si flenë dhe çfarë mendojnë, prandaj dhe unë i falenderoj pa kushte. Në disa raste ata kanë treguar jo vetëm pjesë nga jeta e tyre, por edhe pjesë nga jeta ime çka e bën këtë botim edhe më të dashur për mua.
Seicilin prej tyre e kam fotografuar duke bashkuar në një, fotografinë me rrëfimin.
Libri “ 41 Sekrete” botohet nga Shtëpia Botuese Pegi dhe me këtë rast dua të falenderoj botuesen Loreta Berhami dhe gjithë stafin e saj të përkushtuar që më bindën pas gati dhjetë vitesh të ndryshoja botues, cka nuk ishte një vendim i lehtë për mua.
Jam i sigurt që askush nuk do më pyesë pse 41 sekrete dhe jo 44 apo 51, por meqë nuk po më pyesin po e them vetë. Më pëlqen numri 41 për shkak të ngjashmërisë anatomike që ka numri 4 me numrin 1. Janë si dy shkopa me sqep dhe qëndrojnë bashkë në mënyrë simetrike.
Natyrisht libri do jetë në Panairin e Nëntorit, pas dy javësh, ku unë vij gjithmonë për të blerë librat e të tjerëve apo për të dhuruar librat e mi.
Meqë ra fjala, 41 personazhet, bashkë me kopertinën janë ende sekret, të paktën deri ditën që “41 Sekretet” do dalin nga shtypshkronja Pegi” shkruan Blushi.
/a.r