Kryeministri Edi Rama ka dënuar retorikën e politikanes britanike Suella Braverman kundër emigrantëve. Ai u shpreh se Britania duhet ta trajtojë Shqipërinë me respekt nëse dëshiron të arrijë një marrëveshje për kthimin e depërtimin e tyre. Këto deklarata të Ramës kanë bërë jehonë edhe nës shtypi britanik. Sky, The Guardian dhe The Timës i kanë kushtuar vëmendje të veçantë sot në shrkimet e tyre.
Në një ndërhyrje të jashtëzakonshme, shkruan The Times, Rama tha se ishte çmenduri të fajësosh emigrantët shqiptarë si shkaku i krimit në Britani dhe problemeve kufitare.
Ai e sulmoi Braverman-in për gjuhën që përdori këtë javë kur e përshkroi krizën e emigrantëve në kanalin e La Manche si një “pushtim”. Rama e akuzoi politikanen britanike se është duke përdorur një retorikë të tillë për të fshehur dështimet e politikave të ndërmarra nga qeveria.
“Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyete Ajnshtajnin!)”, shkroi Rama në Twitter.
Ai citoi shifra që sugjerojnë se 70 për qind e 140,000 shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar jetonin më parë në vende të pasura evropiane si Italia dhe Greqia dhe nuk kishin udhëtuar direkt nga Shqipëria.
Ai tha se 1200 prej tyre ishin biznesmenë dhe gra.
“Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave”, tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë sugjeroi se retorika nga ministrat dhe zyrtarët në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që përshkruante shqiptarët si kriminelë dhe gangsterë kishte dëmtuar shanset për të arritur një marrëveshje më të ngushtë mbi krimin dhe emigracionin midis dy vendeve.
“Shqipëria ishte e gatshme të punonte më afër me Britaninë e Madhe. Megjithatë faktet janë vendimtare dhe respekti i ndërsjellë”, shtoi ai.
Një deklaratë e tillë i ka dhënë një goditje të fortë shpresave të kryeministrit të sapoemëruar Rishi Sunak, në lidhje me dakordimin dhe arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë që do të mundësonte deportimin e emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin me gomone brenda disa ditësh pas mbërritjes.
The Times zbuloi sot se ministrat ishin të bindur se do të binin dakord për detajet e marrëveshjes së kthimit të shpejtë brenda javëve të ardhshme, e cila do t’i deportonte emigrantët shqiptarë përpara se të mund të apelonin kundër kërkesave të refuzuara për azil.
Robert Jenrick, ministri i imigracionit, do të udhëtonte në Shqipëri brenda dy javëve të ardhshme, por se nuk dihet nëse kjo do të ndodhë pas deklaratave të fundit.
“Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit”, shkroi Rama në Twitter./m.j