Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka lëshuar kritika ndaj politikanëve kryesorë që dominojnë Shqipërinë prej 30 vitesh.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi u shpreh i bindur se ish-presidentin Ilir Metaj dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë bërë bashkë, për shkak të interesave, teksa shtoi se pavarësisht kësaj aleancën, ata sipas tij, nuk do të mundin t’ia dalin për të rrëzuara Edi Ramën nga pushteti.
Duke komentuar, apelin e amerikanëve ndaj SPAK që të vihet në lëvizje dhe të hetojë ish-kryeministrin Berisha, ish-kreu i SHISH u shpreh i bindur se Uashingtoni e ka shpallur atë “non grata” mbi bazë provash dhe jo mashtrimesh lobimesh, siç pretendon kreu i “Foltores”.
-Zoti Klosi, ish-kryeministri Sali Berisha ka vulosur zyrtarisht bashkëpunimin me kreun e PL Ilir Meta, si e shihni këtë lëvizje?
Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë bashkëpunuar me kohë me njëri-tjetrin. Meta që nga 2009 që u bashkua për herë të parë me Berishën e ka konsideruar atë si aleatë, Meta ka bashkëpunuar edhe me Partinë Socialiste, pra bashkëpunimi i sotëm nuk është çudi, ata janë tani të dy kundërshtar të Partisë Socialiste dhe kanë e kanë shprehur qartë shumë qëllimin e tyre, sepse është një bashkëpunim ku ka interesa të ndryshme dhe i bashkon një gjë e rëndësishme që është rrëzimi i Ramës nga qeveria, besoj se do të bashkëpunojnë, por besoj edhe këtë tjetrën që nuk do të fitojnë dot.
-Kur thoni nuk fitojnë dot, doni të thoni që populli nuk i jep më votën sepse nuk i beson më?
Sigurisht, nuk kanë më mbështetje nga populli, lëre se çfarë thonë ata pastaj që u vodhën votat, sepse ato justifikime për të shpëtuar paratë dhe për ti mbushur mendjen votuesve të tyre sepse shpresonin se do të fitonin. Kështu që edhe këtë herë ata do thonë të njëjtën gjë që u vodhën votat nëse nuk fitojnë sepse asgjë nuk ka ndryshuar, të gjitha ato që thonë janë për të mbështetur militantët e tyre. Por, unë nuk mendojë se do t’ia dalin që ta bindin popullin që qeverisja e tyre mund të jetë e ndryshme, ndryshe nga ato qeverisjet që ne kemi parë deri më tani, sepse ne nuk është se nuk e kemi parë ata, të dy ata drejtues i kemi parë, të dy kanë qenë president, të dy kanë qenë kryeministra dhe sëbashku kanë qeverisur këto 30 vite. Pak vite ka qenë Fatos Nano, në këto 10 vitet e fundit ka qenë Edi Rama, po 4 vite i ka qeverisur sëbashku me Ilirin dhe ja ku jemi sot me të njëjtat gjëra si varfëria në vend, vjedhja e votave, korrupsioni. Pra, çfarë ka ndodhur asgjë, ata i kemi provuar dhe nuk pres nga asnjëri që të bëjë ndonjë çudi me këto që bëhen ata bëjnë përpjekjet e tyre sepse mos të bënin as koalicion do ishin të humbur, tani po e provojnë që të bëjnë një koalicion, por unë them se nuk do të fitojnë dot. Por, le të shohim se çfarë do të ndodh, sepse zgjedhjet po vijnë edhe 6 muaj na ndajë nga ato.
-Autoriteti i Dosjeve së fundmi ka deklaruar se Ilir Meta dhe 5 politikanë të tjerë rrezikohen të përjashtohen nga politika, mendoni se ka të tjerë spiunë në Kuvendin e Shqipërisë?
Unë kam qenë për 5 vite në krye të shërbimit, por nuk kam pasur asnjëherë nuk kam pasur kuriozitet për të parë dosjet. Autoriteti i Dosjeve është autoriteti zyrtar që ka vendi për ta trajtuar këtë problem, ata kanë bërë këto deklarata dhe janë ata që e dinë sepse ata i kanë dosjet nëpër duar. Meta dhe ata të tjerët kanë 30 vite në këtë vend që kanë qenë në organe drejtuese, kështu që aq sa kanë qenë nuk do të jenë dot, edhe sikur mos të jetë ky institucioni i hapjes së dosjeve. Ne duhet që të shohim se çfarë do të bëjë ky institucion, pse është ngritur sa potencë ka për të treguar të vërtetën, pra më në fund ata treguan që ekzistojnë. Ilir Meta mesa di unë i ka hedhur në gjyq, gjyqi se pranoi, e këtu të gjitha palët mburren se i kanë hedhur në gjyq dhe pastaj të gjitha rrëzohen, por do durojmë edhe pak dhe do shohim se çfarë do të bëhet.
-Si e shikon hapjen e dosjeve, mendoni se do hasë pengesa apo do të shkojë deri në fund?
Unë mendoj se po, sepse deri tani ishin kufizimet që kush kishte kaluar në dy komisione dhe nuk kishte kuptim që të shikoje sërish dhe thuhet nga ai komision se ky kusht e ka penguar atë që të tregojë disa të vërteta, por atë kufizim tashmë ia hoqën dhe nuk ka asnjë kufizim për të hapur dosjet dhe të shohim se çfarë do të bëjnë.
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë treguar prangat së fundmi ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, pak ditë më parë kërkoi që institucionet shqiptare të nisin hetimet. Mendoni se Berishës i ka ardhur fundi?
Ai është përfaqësues i një shteti, i cili Berishën e ka shpallur “non grata” dhe thotë se ishte një vendim i administratës amerikane i mbështetur në prova që ata kanë për të dhe i bënë thirrje drejtësisë së vendit tonë që të filloj punën për të gjetur argumente për ato akuza për të cilat amerikanët e kanë akuzuar. Ne Amerikën e kemi parë gjithmonë si një shtet aleat të këtij vendi, pastaj kur përfaqësuesi i atij vendi bënë një deklaratë dhe e sheh që nuk po bëhet asgjë për akuza shumë të rënda janë të pakënaqur nga drejtësia.
-Nga ana tjetër, në zhvillimet e fundit politike ka bërë bujë deklarata e vëllait të Sokol Olldashit. Ky i fundit akuzoi Berishën se vodhi zgjedhjet e 2013. Kohë më parë keni thënë se Olldashi ishte kundërshtar i fortë i dyshes Berisha-Basha në PD, ishte pretendent për lider. Kush mendoni se mund të sfidojë Berishën tani në PD?
Sokol Olldashi ishte kandidat që kishte mbështetje, një djalë i zgjuar dhe nuk besoj se kandidoi pa qenë i bindur se kishte mbështetje. Pastaj dhe vet vdekja e tij është pak enigmatike, por që se di pse vëllai i tij e ka thënë tani këtë dhe se ka thënë më parë. Unë Sali Berishën e njoh prej 30 vitesh dhe besoj se ai bënë çdo prapësi të mundshme për të fituar.
-Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar protestë dhe ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama edhe lidhur me udhëtimet me charter të kryeministrit, sipas jush çfarë po synon në të vërtetë Berisha?
Ai nuk ka asgjë në dorë ai që të ngrejë komision. Ai bënë vetëm propagandë. Mesa duket akoma është i pushtetshëm edhe dje e tregoi me deklaratat e tij se e mban vetën për të pushtetshëm, ai flet sikur mund të bëhet mbret i këtij vendi, por s’ka asgjë në dorë. Nuk është për t’u marr seriozisht.
-Kreu i SPAK, Arben Kraja së fundmi ka deklaruar se për Sali Berishën po hetohet dhe për Gërdecin, besoni se ka prova SPAK?
Ai ka qenë kryeministër dhe licenca të tilla siç ka qenë çmontimi i armatimeve ishin të pakuptimta, ndërkohë që ekzistonte një kombinat i tërë, në Poliçan, në Elbasan dhe vajtën sajuan një ndërmarrje të improvizuar. Përgjegjësia bie mbi të, pastaj flitet që ka qenë edhe i biri i Berishës, prandaj i takon institucioneve që të merren me këtë punë, nuk ka kuptim që qytetarët prej vitesh të vazhdojnë që të thonë se nuk po bëhet asgjë. Këtu ka qenë kjo sëmundje që politikanët që kanë qenë më të fortët e këtij vendi, Prokuroria nuk i ka hetuar. Politika nuk duhet që të tremb sistemin e drejtësisë, por duhet që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur dhe nuk ka qenë. Për fat të keq politika në Shqipëri ka dy nga 3 kolonat, ka edhe Parlamentin por ka edhe qeverinë. Por le të urojmë se sistemi i drejtësisë sidomos gjykata të që japin drejtësi të jenë të pavarura.
-Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, ka kërkuar më shumë luftë ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave. Keni një koment dhe a ka politikanë shqiptarë që pastrojnë para jashtë Shqipërisë?
Qeveria ka në dorë që të kontribuojë që paratë e krimit të futen në Shqipëri që të pastrohen këtu. Pretendohet se bumi i madh i ndërtimeve në Shqipëri mbahet në këmbë me paratë që pastrohen nga krimi. Në këtë drejtim qeveria shqiptare duhet që të bëjë më shumë, ajo që e ka bërë këtë deklaratë e di se paratë e krimit bëhen andej dhe pastrohen pastaj këtu.
/e.d