Nga Frrok Çupi
A ju duket sikur shoqëria po rënkon nën një barrë që, në fakt, nuk e meriton, por i vjen nga një pjesë e politikës?
Ja ku janë: Grupimi i etur për pushtet por që nuk ka gjasa se do t’i afrohet pushtetit; grupimi që mes njëri tjetrit nuk kanë të njëjtën ‘gjuhë’, por i kërkojnë hesap popullit që nuk i kupton; grupimi që kreu betejën epike buzë Lanës për të marrë selinë e Partisë me hunj, me kosore, me sfurqe dhe me kokë- dashi. Grupi tentoi të bënte politikë, por në fakt kreu dhunë. Mes atyre që donte t’i kishte në krye, e vuri zemrën te njeriu më i dhunshëm në tre dekada. Më i dhunshmi i tyre është edhe më i korruptuari në gjithë globin. Dje deklaroi se në datë 12 Nëntor do të shpojë një vrimë në dhè, dhe këtë vrimë nuk do ta gjejë as Edi Rama as deputetët, as ministrat, as maxhoranca…
Sali Berisha, njeriu që ka kryer terror dhe korrupsion mbi njeriun, tani ka fshehur vrimën dhe ka hapur konkursin ‘kush e gjen vrimën të futet’. Në këso kulmesh ‘frikësuese’, shumë njerëz të zakonshëm i drejtohen sa ligjit në vend aq edhe Shteteve të Bashkuara: “Pse i lini këta njerëz të na nxijnë jetën…, plasini në burg more aman!’.
E drejta njerëzore për të lidhur ‘të rrezikshmin’:
Kjo është e dëshmuar dhe e përhapur në çdo bisedë, që nga dasma e fshatit deri në baret e qytetit. Gjatë gjithë periudhës së diktaturës, burgu ishte lokacioni i parë ku e perceptonin ‘njeriun trazovaç’, ‘hajdutin’, ‘perversin’, por edhe llafazanin politik. Nuk kishte mjaft alternativa.
Ndërsa tani ‘të rrezikshmit’ nuk rrezikojnë asgjë. As Sali Berisha dhe as Ilir Meta nuk kanë asgjë në dorë. As Saliu nuk mund të bëjë vrimën deri në zemër të Tokës, as Ilir Meta nuk mund të këpusë njerëzit më dysh si korthitë e zjarrit në një fshat të Skraparit. Të dy janë zhveshur nga çdo autoritet dhe nga çdo moral për të bërë ‘gjëmën’ në qytet: I pari është i rrethuar nga mbarë Perëndimi si një ‘i padëshiruar’ dhe ‘armik i demokracisë’. Ndërsa i dyti tregohet me gisht si ‘Spiun…’.
Atëherë, ç’keni me ta, le të rrinë ku të duan; pse u dashka vetëm burgu!
Kujtesa jonë e traditës dhe e kodeve njeh mijëra raste kur ‘i rrezikshmi’ më mirë të lihet në rrugë. Edhe atëherë, natyrisht, trembnin njerëz natën e ditën; këdo që kalonte rrugës. Mirëpo askush nuk u ankua te askush, siç mund të ankoheshe për qenie shtëpiake që merrnin rrugën pa kontroll e bënin dëme. Madje këta njerëz mund të hynin edhe në dasmën e tjetrit apo në festën e Shënkollit (Santa Klaus); hynin, bënin si donin dhe iknin. Këta nuk fajësoheshin edhe sikur të thyenin vorbat e mishit. Kodet zakonore të kombit tonë e toleronin ‘njeriun e rrugës’. Ata mund të thonë edhe çfarë të duan, por askush nuk preket. Demokracia jonë para- politike kishte instrumente të mahnitshëm për ta dalluar si atë që i jepte shoqërisë drejtësi, ashtu edhe atë që kërcënonte me ‘vrimën e miut’.
Edhe atëherë ‘njeriu i rrezikshëm’ kishte një familje; por edhe sot ka një familje që quhet ‘familje politike’.
Berisha dhe Meta kanë dy familje që në fakt bëjnë një trung. Nëse në të shkuarën, njëri nga ‘njerëzit e rrugës’ bënte sherre dhe dikush e ndëshkonte, atëherë familja ‘zgjohej’ për nderin e saj. Vetëm në momentin kur dikush i sulej ‘njeriut të rrezikshëm’, ky i dyti merrte vlerë. Familja kishte për detyrë që ta mbronte, edhe pse nuk e ‘zotëronte’. Edhe në shoqëritë moderne e njëjta skemë është aplikuar. Tani, këtu para nesh, kemi të njëjtën gjë: Dy ish- presidentë dhe dy ish- kryeministra, të akuzuar si ‘të korruptuar kontinentalë’ vijnë rrotull rrugëve e shesheve të Tiranës. Kërcënojnë, por jo vetëm shtetin tonë; ata kërcënojnë vetë Amerikën…, Britaninë e Madhe, Europën… Jo vetëm i kërcënojnë, por edhe i përqeshin, i tallin, i përgojojnë, iu sulen që t’u shkulin veshët… Asgjë nuk ndodh me ata në botë. As me shtetin tonë nuk ndodh gjë, padyshim, sado që këta vijnë vërdallë.
Tani, puna është se a më mirë sikur të burgosen?
Më shumë u duhet marrë pasuria e vjedhur se sa burgosur. Edhe ‘familja’ e tyre do ta pranonte këtë ‘marrëveshje’ juridike, më mirë se zgjidhjen ‘per forca’. Ndryshe, familja e tyre politike do të dilte në rrugë e do të lëshonte piskama për ‘heronjtë’ e vet. Do të shfaqeshin natë e ditë para derës së burgut, do të kërkonin kompensim monetar për paketat e cigareve, do të këndonin këngë rapsodie, do të vinin kujën epike për heronjtë…
Atëherë do të shtoheshin së tepërmi në rrugë njerëz që sot u themi ‘të rrezikshëm’ por i lëmë të bëjnë ç’të duan. Më mirë u themi ‘ja ku i keni heronjtë tuaj’, dhe këta kthehen përnatë në shtëpi.
Nuk do të kishte mënyrë më të merituar për t’i dekompozuar ‘në rrugë’ këta dy njerëz që i kanë bërë të këqijat më të mëdha vendit. Gjeni një mënyrë tjetër ku këta harrohen.