Policia e Tiranës ka arritur që të sigurojë disa prova për vrasjen e Briken Sanaj. që priten të çojnë në zbardhjen e ekzekutimit të 39-vjeçarit.
Ndërsa, sa i takon pamjeve filmike, mësohet se janë fiksuar disa skena, por jo momenti i vrasjes për shkak se pikërisht në vendin ku ka ndodhur krimi nuk kishte kamera të instaluara.
Hetuesit kanë dyshime të forta se viktima mund të jetë tradhtuar nga rrethi i tij shoqëror. Kjo për faktin se autorët ishin në dijeni të ardhjes së tij nga Italia. Madje ata e kanë ndjekur Sanajn nga Lezha deri në Tiranë, pasi kishte dalë nga dasma e shokut të ngushtë. Informacionet se ku qëndronte viktima dhe itinerarin që ai ka ndjekur, ngre dyshime të forta se autorët mund të kenë bashkëpunuar me të njohur të tij.
Në zonën e Kodrës së Diellit 39-vjeçari po qëndronte në banesën e shokut të tij. Ky i fundit quhet Anton Gjini, emri që rojet e godinës iu dhanë efektivëve ditën e atentatit.
Familjarët e viktimës që jetojnë në Lezhë ende nuk janë marrë në pyetje nga policia apo prokuroria e Tiranës, për të dhënë dëshminë e tyre në lidhje me personat që dyshojnë se mund të eliminonin Briken Sanajn.
Deri tani pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e hakmarrjes për shkak se vëllai i 39-vjeçarit, 10 vite më parë kishte plagosur një person.
/a.r