Ka nisur zyrtarisht shitja e biletave për miqësoren e luksit, që Shqipëria do të luajë kundër Italisë. Duke qenë se të kaltrit janë skuadra me më tepër tifozë në vend, interesi për testin e 16 nëntorit do të jetë maksimal dhe stadium i mbushur me kapacitet të plotë.
Por, për të evituar që miqësorja e tri ditëve më pas me Armeninë të luhet me prani shumë të ulët të tifozëve, federata vendosi të organizojë një paketë. Me çmime të përcaktuara, tifozët mund të blejnë biletat për ndeshjen me Italinë, ndërkohë aty kanë të përfshirë edhe biletën për ndeshjen me Armeninë.
Çmimet nisin nga 1350 lekë të reja për biletat e pasaportave, për të vijuar me biletat që kushtojnë 2000, 2600, por edhe 3250 lekë dhe 4500 lekë në tribunën karshi.
Të njëjtën taktikë, FSHF ka përdorur edhe në nëntor të vitit 2019, ku biletat e ndeshjes së Francës u shitën në paketë me biletat për sfidën me Andorrën.
Një lëvizje e tillë u shoqërua me revoltën e tifozëve. Edhe pse biletat e të dyja ndeshjeve u shitën të kombinuara, në ndeshjen ndaj Andorrës stadiumi ishte thuajse i boshatisur.
/s.f