Prokuroria e Shkodrës ka pezulluar nga puna sekretaren që zbuloi të dhënat sekrete për një rast ekstradimi nga Turqia për në Shqipëri të një shtetasi shqiptar.
Për pasojë prokuroria ka nisur njëkohësisht hetimet ndaj punonjëses K.G. Behet fjale per ekstradimin e Ibrahim Licit te akuzuar per vrasje, aksion i cili u dekonspirua.
NJOFTIMI
Duke qenë se mbi shkresën e publikuar në media është konstatuar i shënuar numri hyrës i protokollit të regjistrit të Seksionit të Ekzekutimeve dhe Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, janë krijuar dyshime se ajo ishte fotografuar dhe më pas shpërndarë pas hyrjes në këtë institucion.
Në këto rrethana, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ka kryer me përparësi një sërë veprimesh hetimore, si këqyrje e pamjeve të nevojshme filmike, pyetje dhe ballafaqim i personave me dijeni për veprën penale, këqyrje e aparatëve celularë etj.
Ndaj shtetases K.G., është marrë menjëherë masa e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në prokurori, ndërkohë që po procedohet edhe penalisht për kryerjen e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Gjithashtu, vijojnë hetimet për zbulimin dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në mbajtjen, shpërndarjen dhe publikimin e shkresës në fjalë dhe të të dhënave të tjera sekrete, me qëllim përcaktimin e plotë të faktit dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej tyre./m.j