Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes do të ndërmarrë një fushatë në të gjitha njësitë administrative për rekrutimin e 600 të rinjve në Forcat e Armatosura. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, morën pjesë në një takim të përbashkët me maturantë dhe administratorë të njësive, lidhur me fushatën e rekrutimeve për ushtarë-detarë aktivë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
“Sot flasim për rekrutime profesioniste, për një punë nga më të mirëpaguarat në Republikën e Shqipërisë dhe unë i shoh këto dy faza, rekrutimin e pranverës dhe vjeshtës, si një mundësi fantastike për 600 të rinj të qytetit të Tiranës. Ndaj, do të ftoja 24 administratorët që, bashkë me drejtoritë arsimore, ndërlidhësit e komunitetit, kryepleqtë në zonat e fshatit, të identifikojmë më të mirët”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, shembulli kur “dështakët” visheshin policë apo ushtarakë, ka ndryshuar. “Për një ushtri që është pjesë e NATO-s, duhet të zgjedhim më të mirët. Këto janë 600 mundësi punësimi për djem e vajza që kanë pasion dhe zell për t’i shërbyer vendit, që preferojnë të lënë kafen, bingot e skedinën, për uniformën dinjitoze të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave tona të Armatosura”, tha Veliaj.
Duke iu drejtuar administratorëve të njësive, kryebashkiaku i Tiranës tha se, kjo është një mundësi për ato familje që shikojnë te fëmijët e tyre mundësinë që të dalin nga kurthi i varfërisë. “Është një mundësi e jashtëzakonshme ekonomike që këta djem dhe vajza të fillojnë një karrierë dhe një punë dinjitoze, e cila inkurajohet, jo vetëm nga reformat e ministres, por edhe nga një traditë që tashmë, në këto 2 vjet e gjysmë, është krijuar për profesionistët, që i bashkohen Forcave tona të Armatosura”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës propozoi hartimin e një plani për të shkuar në çdo gjimnaz të qytetit, bashkë me menaxhuesit e procesit të rekrutimit, për t’u siguruar që djem dhe vajza me nota të mira të ndjekin arsimin e tyre ushtarak. Kryebashkiaku falenderoi Ministrinë e Mbrojtjes për mbështetjen që i ka dhënë komunitetit të Tiranës mbi përballimin e krizave të emergjencave civile. “Ndaj, shikojmë te këta 600 rekrutë edhe 600 investime, që secili prej nesh bën në komunitet, që kjo dije që vjen nga puna në ushtri, të jenë pranë komuniteteve tona, ku mësojmë më shumë se si të përballojë krizat, si të përballojmë emergjencat në një mot që bëhet gjithmonë e më i pabesë, si një resto për mënyrën se si jemi sjellë gjatë këtyre viteve”, përfundoi Veliaj.