Arkivit të dokumenteve të Kadastrës së Lushnjes i është vënë kyçi pasi tani më të gjitha dokumentet janë të digjitalizuara e mund të merren me vetëm një klikim nga portali online e-Albania. Drejtori i Kadastrës, Artan Lame u shpreh se digjitalizimi në Lushnje ka përfunduar totalisht. Duke u ndalur të Tirana e Durrësi, 2 bashkitë më të mëdha në vend, përfshirë këtu edhe Krujën e Kavajën, Lame njoftoi se janë skanuar deri më tani 5.5 mln dokumente, ose gjysma e arkivit.
Nisur nga problemet e mëdha që qytetarët kanë hasur me pronat, Lame theksoi se ky hap ëhstë shumë i rëndësishëm pasi çdo ndryshim më i vogël lë gjurmë në sistem.
“Qytetarët nuk do kenë më përballë Kadastrën, por do kenë një sistem i cili në arkivat e veta digjitale i ka të gjitha transparente, dhe me një klik do të kesh shkresën e pronës në telefonin Tuaj. Faza e radhës do të jetë përfundimi i këtij procesi për Durrësin (përfshirë dhe Kavajën) dhe Tiranën (përfshirë dhe Krujën), ku deri tani është kryer skanimi i rreth 5,5 milion dokumenteve, ose rreth 50% e të gjithë volumit të punës. Siç e shihni bëhet fjalë për shifra shumë të mëdha, që kërkojnë edhe trajtim po kaq voluminoz. Mjafton të themi që çdo ditë në Qendrën e Kadastrës Doxhitale dixhitalizohen 4000 kartela dhe skanohen rreth 54.000 dokumenta pronësore”, tha Lame.
Ky proces do të vijojë me Tropojën, tha Lame, për shkak të fluksit të madh të kërkesave për agroturizëm.
“Brenda këtij viti ky proces do të përfundojë edhe në Bashkinë e Tropojës. Duket si një Bashki periferike, por të mos harrojmë që perspektiva turistike e ka kthyer në një qendër me shumë kërkesa dhe nevoja”, u shpreh Drejtori i Kadastrës.
/s.f