Dy makina bomba shpërthyen të shtunën në një kryqëzim të ngarkuar në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu pranë selive kryesore të qeverisë, duke shkaktuar “dhjetëra viktima civile”, tha policia vendase për mediat shtetërore.
Sulmi ndodh pesë vjet pas një shpërthimi masiv në të njëjtin vend.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Somalisë citoi zëdhënësin e policisë Sadiç Dodishe lidhur me numrin e viktimave. Sulmi në Mogadishu ndodhi në një ditë kur presidenti, kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të lartë po takoheshin për të diskutuar mbi luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, veçanërisht atë të shkaktuar nga grupi al-Shabab i lidhur me al-Kaidan që shpesh vë në shënjestër kryeqytetin.
Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin.
Drejtori i shërbimit të ambulancave i tha agjencisë Associated Press se ky shërbim kishte mbledhur shumë të plagosur ose të vrarë dhe se një nga ambulancat që shkoi në vendngjarje u shkatërrua nga shpërthimi i dytë.
Sindikata e Gazetarëve Somalezë tha se një gazetar u vra dhe dy të tjerë u plagosën.
Sulmi ndodhi në një kryqëzim që ishte skenë e një sulmi masiv me bombë nga al-Shababi në vitin 2017 që shkaktoi vdekjen e më shumë se 500 vetëve./VOA