Ajlin Alfredaj nëna e 7 fëmijëve, 6 vajzave dhe një djali, e cila më herët ka punuar në pozicionin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, prej tre muajsh ndodhet në arrest shtëpie. Ajo ishte e ftuar këtë të premte te emisioni “Rudina” në Tv Klan ku për herë të parë ka treguar se si e mori informacionin se kishte një masë sigurimi “arrest me shtëpie”, për të.
“Unë kam qenë në Velipojë, ngaqë njëra nga binjaket e vogla vuan meningjitin e kockave dhe është formë terapie që vajza të qëndrojë sa më shumë në plazh. Kam njoftuar stafin që nuk mund të kthehem në Tropojë. Më marrin në telefon nga zyra dhe më thonë drejtoreshë duhet të kthehesh. I thashë kam gjëra më të rëndësishme për të bërë, se vëllai u nis për në spital. Kur lexova me vëmendje jam shokuar, masë “sigurimi arrest me shtëpi”. Isha në kërkim dhe nuk e dija”, tha Ajlin duke treguar për “shokimin” e saj në momentin e parë që u njoh me vendimin. Sipas Ajlin Alfredaj akuza e bërë ndaj saj është akuza e pabazuar dhe se ajo është nënvlerësuar…
Rudina Magjistari: Domethënë akuza është formuluar për ty, apo jo? Për çfarë të akuzojnë Ajlin?
Ajlin Alfredaj: Prokurori më akuzon për kundërshtim të punonjësit të policisë. Organi i akuzës, duke qenë se jemi në Tropojë të gjithë, këta më kanë neglizhuar, më kanë nënvlerësuar. Këta nuk e dinë ku jam rritur. Unë jam rritur në mal, komshi me arushën dhe duke rënë në fushë me lepuj e kam shumë të thjeshtë të jetoj. Kundërshtimi i forcave të policisë, unë i kam të gjitha me audio dhe video, që nuk kam kundërshtuar asgjë, por kam audio dhe video që punonjës të policisë na vijnë në zyrë na bëjnë terror pa autorizim dhe ne u kemi kërkuar një autorizim: “Zotëri kush të autorizoi të vish në një institucion shtetëror?
Me iniciativë të lirë, tha. Si me iniciativë të lirë?!”, kaq. Pas një viti u zgjuan nga gjumi, kundërshtimi është aty për aty. Prokurori e ka ngritur si akuzë shpërdorim detyre, por vetë nuk di të thotë çfarë shpërdorimi, ngre dyshime për falsifikim, por nuk thotë çfarë lloj falsifikimi./m.j