“E kemi humbur luftën me kokainën”. Këto ishin fjalët e presidentit kolumbian Gustavo Petro gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtatorin e kaluar.
Një grusht në stomak, për gjithë institucionet që luftojnë kundër narkotrafikut, por edhe një e vërtetë e treguar nga faktet. Në vendin latino amerikan janë rreth 204 mijë hektarët e tokës që sipas një raporti të OKB-së kultivohen me bimën e kokainës, me rreth 300 mijë hektarë pyje që shkatërrohen çdo vit.
Nje situatë e padurueshme, veçanërisht në fshatrat kufitare me Venezuelën dhe bregdetin, ku narkotrafikantët e kanë më të thjeshtë transportin, ku tashmë eshte utopi të flitet për biodiversitet.
Por fjalët e presidentit Petro kanë shtyrë qeverinë në Bogota të përshpejtojnë një iniciativë që do të krijojë shumë polemika dhe ndoshta do t’i kushtojë vendit miqësinë me Uashingtonin. Autoritetet e atij vendi mendojnë për depenalizimin e kultivimit të kokainës, që përkthehet në fakte me blerjen e sasisë së kultivuar, ku angazhohen dhe punësohen dhjetëra mijëra persona, nga vetë shteti.
“Kostoja për të blerë të gjithë sasinë do të ishte rreth 608 milionë euro në vit, një shifër e madhe por që është gjithsesi gjysma e asaj që shpenzojmë për ta shkatërruar atë”, deklaroi senatori Ivan Marulanda.
Por janë shumë ekspertët që mendojnë se vendimi nuk do të shkatërrojë rrjetin e narkotrafikut ndërkombëtar, madje do të lehtësonte prodhimin dhe shpërndarjen. Gjithsesi, ideja duket se mund të huazohet edhe nga shtete si Peru dhe Bolivi, duke krijuar një organizëm kontrolli rajonal.
/a.r