Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka prezantuar në Komisionin e Sigurisë buxhetin e parashikuar për vitin 2023 për institucionet në varësi të saj. Në tërësi i gjithë buxheti i parashikuar është 24.1 miliardë Lekë.
Ministri Çuçi theksoi se vetëm për Policinë e Shtetit, janë parashikuar 19.5 miliardë Lekë, ku përfshihen rritje të pagave të punonjësve si dhe shpenzime të tjera.
“Buxheti është parashikuar në 19.5 miliardë Lekë apo një rritje 16% në raport me 2022 për Policinë e Shtetit. Edhe nga këto, tek shpenzime për personelin, shuma është 143.5 miliardë Lekë dhe një rritje me 8%.
Shpenzime të tjera, mallra, shërbime, transferime, tavani është 3.4 miliardë Lekë apo një rritje 39% në raport me buxhetin e 2022. Për investimet kemi një rritje 56%, kemi parashikuar 1.2 miliardë Lekë. Dhe me financimin e huaj parashikimi është 460 milionë apo një rritje 31%”, u shpreh Çuçi.
Ndërsa për Gardën e Republikës janë parashikuar 1.9 miliardë Lekë.
“Për Gardën e Republikës, buxheti që kemi parashikuar 1.9 miliardë Lekë. Shpenzime të tjera e kemi çuar buxhetin 322 milionë lekë apo me një rritje 43% krahasuar me 2022, ku kemi përfshirë edhe trajtimin me ushqim të punonjësve të Gardës. Shpenzime të personelit prapë kemi rritje 5%, dhe shpenzime për investime parashikimi është 10 milionë Lekë”.
Pjesa tjetër e buxhetit është e parashikuar për institucionet e tjera në varësi të Ministrisë së Brendshme.
/a.r