Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso tha në Vizion Plus se strategjia e përbashkët e PD me Partinë e Lirisë dhe partitë e tjera opozitare për zgjedhjet e ardhshme vendore, ka vetëm favore.
Në një intervistë të shkurtër gjatë edicionit të lajmeve me moderatorin Aleksandër Furxhi, Kaso tha se angazhimi kryesor i frontit të madh opozitar është maksimalizimi i votës kundrejt qeverisë.
Kaso konfirmoi edhe një herë vullnetin e përbashkët politik pavarësisht se marrëveshja dhe teknikalitetet do të firmosen të enjten.
“Vullneti politik është bërë më dije prej kohësh dhe u zyrtarizua ditën e sotme, ditën e nesërme do të hidhen e zezë mbi të bardhë teknikalitetet e bashgkëpunimeve, një pjesë e të cilave u bënë me dije sot nga deklaratat e kryetarit të PD-së Berisha dhe kryetarit të PL, Ilir Meta. Meta shprehu mbështetjen e plotë për procesin e primareve por gjithashtu shprehu dhe angazhimin që me individualitet më të spitakutra, përfaqësuesit e PL do të punojnë që këtë proces ta kthejmë në një ushtrim të përbashkët demokracie.”, tha ai.
I pyetur më konkretish për teknikalitetet apo anëtarët e këshilleve bashkiakë, Kaso nuk zbuloi asnjë detaj duke u shprehur se do të bëhen me dije nesër pas firmosjes së marrëveshjes.
“Do të zbulohen nesër por është e rëndësishme që të thuhet se PD dhe PL synojnë të maksimalizojnë votën, nëpërmjet figurave të spikatura në këshillat bashkiakë. Kështu që maksimalizimi i votës opozitare në këshillat bashkiakë do të jetë një moment tjetër i rëndësishëm dhe sigurisht në varësi të dinamikave në çdo bashki do të zgjidhet mënyra më e mirë për të garuar me një listë të përbashkët ose të ndara.”, u shpreh Kaso.
Aleksandër Furxhi: SHBA rifreskuan dje qëndrimin e tyre ndaj Berishës. A nuk e bën ky fakt më të vështirë përballjen tuaj me qeverinë?
Ivi Kaso: Ka vetëm një opozitë, fronti i madh opozitar që do të zyrtarizohet shumë shpejt, kështu që ka për të patur vetëm një front opozitar dhe një përballje frontale me qeverinë në të gjitha garat, në 61 bashki, që do të jetë në pak se 9 muaj. Dhe të jeni të bindur që qytetarët do ta shprehin atë pëlqimin ose mospëlqimin e tyre, në rradhë të parë ndaj aksionit politik të frontit opozitar.
/s.f