Këtë të hënë në emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës pritet të transmetohet një intervistë me Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e ish dikatorit Enver Hoxha. Për shumëkënd kjo orvatje është konsideruar e tepërt. Disa kritikë mendojnë se Nexhmije Hoxha do duhej lënë në harresë ose në rastin më të mirë do duhej dënuar.
Intervista vjen në kohën kur Nexhmije Hoxha bën 95 vjeç. Ja çfarë shkruan gazetarja Rudina Xhunga për polemikat e krijuara për intervstimin e bashkëshortes së Enver Hoxhës.
“Nexhmije Hoxha, sonte, do të tregojë në Vizion Plus, të vërtetën, sipas saj, jetën sipas saj, monologun e saj të fundit.
Kush do ta dëgjojë, nuk do të ndryshojë mendim, për të, as për 50 vitet e Enver Hoxhës.
Gjëja që unë uroj, të prekë dhe të ngacmojë ajo intervistë, është ajo ndjesia e pafuqisë paralizuese, që ndjen shqiptari, përballë shtetit, përballë të parit të shtetit, që dikur të jepte punë, burrë, shkollë dhe po të dilje nga rreshti, të internonte, të burgoste, të përjashtonte, të zhdukte.
Tani shteti, të lë pa punë, pa bukë, të çon në Gjermani, kur i del tepër, të zvarrit gjykatave, spitaleve, hipotekave, të lë të përfundosh në depresion, drogë, krim, prostitucion. Sepse kjo është psikoza jonë kolektive: e di shteti. E di i pari. Ai i di të gjitha.
Në thelb ne jemi ende në bunker, ne jemi paraqytetarë. Na mungon shpirti i rebelimit, i përplasjes, i vetëdijes, i vetëbesimit, që po t’i kesh, nuk të lënë, të nënshtrohesh para më të fortit dhe t’i hakërrehesh më të dobëtit. Që nuk të lënë ta shohësh shtetin si zot dhe veten si rob.
E pra, gruaja që do të shikoni sonte, në intervistën e fundit, ishte dikur gruaja e Enver Hoxhës. Po tani, si jeton, ku e çoi pushtetin, mos e trashëgoi? Si po e mbyll jetën, në atë dhomë, ato kushte, të krahasueshme me çdo familje shqiptare, në minimum jetese?
Nexhmije Hoxha e bëri burgun e saj, burgun e kafeve, jetoi për të parë zhvarrimin e të shoqit dhe përmbysjen e gjithçkaje ndërtoi dhe besoi në jetë. Tani çështja nuk është më a flet, apo çfarë tregon. Nuk është as, mos po e rikthejmë kohën e Enverit, duke intervistuar të shoqen. Se nuk ka njeri, a shans ta ringjallë atë kohë. As më nostalgjiku, jo më unë, që e kam parë në Televizor bardh e zi, kur isha në kopsht.
Problemi real, që duam t’i fshihemi, siç e kemi zakon me problemet, se e dimë që zgjidhen vetë, është: ku jemi, ku shkuam ne, kohë pas përmbysjes së atij regjimi?
Ja ku shkuam: Aleks Nika protestoi në demokraci dhe e vranë. Gruaja e tij i kërkon të drejtën një zyrtari të zakonshëm në Bruksel, se nuk e gjen dot, në vendin e vet. Ky është shembulli tipik i pafuqisë sonë për të gjetur të drejtën, për të protestuar, për të dënuar, për të ndëshkuar, për të besuar se jemi zot të kësaj toke dhe ata që janë ulur në zyrat e Enverit dhe Mehmetit, janë thjesht administratorë të radhës, jo mbretër. Janë të zakonshëm, të zëvendësueshëm, të vdekshëm, janë asgjë para fuqisë së qytetarit, që kërkon të drejtën e tij, deri në një.
Nuk na e kanë fajin intervistat. Nuk na e kanë fajin, as Saliu dhe Koçoja. Jemi ne që i krijojmë ata, dhe pastaj mërzitemi, kur gazetarët i intervistojnë. Sepse duam, gjyqin që nuk ia bëmë dot vetë, ta bëjë gazetari”, shkruan Xhunga.