Abderrahimi Elkharmoudi, një 45-vjeçar maroken me precedentë për shpërndarje droge, u gjet i vrarë të dielën në Milano të Italisë. Ai ndodhej brenda makinës së tij në mes të rrugës, i qëlluar me dy plumba. Karabinierët e kanë një të dyshuar. Bëhet fjalë për një shqiptar i cili teksa qëllonte viktimën, mësohet se ulërinte: “Kështu mëson të respektosh gratë”.
Sipas mediave fqinje, gjithçka ndodhi në sheshin Libertà në komunën e Cornaredo, ku ndodhet lokali Agora dhe kamerat e sigurisë regjistruan gjithçka.
Fillimisht në to shfaqet Elkharmoudi që zihet me një vajzë dhe më pas një person tjetër që e pret jashtë. Shqiptari sheh 45-vjeçarin që del, afrohet për të diskutuar, largohet, e më pas kthehet përballë lokalit me armë në dorë. Më pas e qëllon dhe i thotë fjalinë për gratë. 45-vjeçari, i cili fillimisht mbeti i plagosur, nxjerr një thikë për t’u mbrojtur, më pas hipën në makinë për t’u larguar. Ai vdiq pak kohë më pas teksa ishte në timon.
Sipas asaj që shkruajnë mediat fqinje, e gjithë ngjarja u regjistrua pak para mesnatës të së dielës. Autoritetet mësohet se kanë mundur ta identifikojnë shqiptarin, i cili aktualisht ndodhet në kërkim. Hetuesit thonë se shqiptari ishte i lidhur emocionalisht me vajzën në fjalë, megjithatë nuk jepen detaje të tjera për këtë lidhje. Shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë po hetohen nga autoritetet italiane.
/e.d