Ervis Martinaj, biznesmeni i lojrave të fatit i cili prej datës 8 gusht 2022, nuk ka asnjë të dhënë rreth misterit, nëse është gjallë apo ka vdekur, rezulton të jetë marrë i pandehur nga prokuroria e Laçit.
Çështja penale kundër tij është rregjistruar në gjykatën e Kurbinit për akuzën e “Kanosjes” kryer në bashkëpunim, pasi biznesmeni së bashku e Nikolin Nikën, dyshohet se kanë keqtrajtuar dhe kanosur me jetë një banorë të zonës.
“Ora News” mëson se megjithëse është e njëjta prokurori që po heton çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Martinaj, kjo gjë nuk i ka penguar prokurorët e Laçit, të marrin të pandehur biznesmenin për një çështje tjetër kriminale, të ndodhur në 2 tetor 2021 në Fushë-Kuqe.
Sipas dosjes hetimore pikërisht në këtë datë Ervis Martinaj së bashku me mikun e tij, Nikolin Nika, kanë keqtrajtuar dhe kanosur me jetë një 63-vjeçar të quajtur Nikoll Buna.
Denoncimi është bërë nga ky i fundit, por nuk ka dhënë shpjegim se pse është goditur dhe kanosur me jetë, nga Martinaj e miku i tij, Nikolin Nika.
Dyshimet policore flasin për një makinë të vjedhur në Fushë-Kuqe, dhe besohet se kjo ka qënë shkaku i këtij konflikti.
Nikoll Buna, ka treguar se është dhunuar dhe kanosur me armë, por prezenca e armës nuk është provuar nga ana e prokurorisë dhe komisariatit të Laçit.
Komunikimi i akuzës së “Kanosjes” i është bërë në mungesë Martinaj dhe Nikolin Nikës në datën 28 shtator 2022.
Pikërisht në këtë datë, prokuroria ka çuar në banesat e dy të pandehurve komunikimin zyrtar të akuzës.
Edhe miku i tij, Nikolin Nika, nuk ndodhet në Shqipëri pasi nga kërkimet e kryera rezulton se ndodhet jashtë shtetit. Zhdukja apo rrëmbimi i Ervis Martinaj, tashmë dihet nga të gjitha strukturat inteligjente në Shqipëri, të cilat janë duke kryer një sërë veprimesh hetimore, për të mësuar të vërtetën e humbjes së kontakteve me familjarët dhe miqtë e tij të afërt.
Por pavarësisht se ndaj Martinaj, nuk është gjendur asnjë e dhënë, sërisht ai vijon të ndiqet penalisht nga prokuroria e posaçme SPAK dhe prokuroria e Kurbinit, duke mos ju pushuar asnjë dosje penale.
Martinaj, humbi kontaktet në 8 Gusht 2022, teksa ndodhej në qytetin e Shijakut, ku kishte shkuar të takonte një anëtar të fisit Avdylaj në këtë zonë.
Policia e Shtetit dhe prokuroria e Laçit,kanë vijuar hetimet por kontrolli i banesave dhe shumë veprime të tjera nuk kanë sjellë asnjë rrezultat pozitiv për zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë vetëm pak ditë pas zhdukjes së biznesmenit Ervis Martinaj, Policia e Shtetit në fillim të muajin shtator 2022, vendosi të arrestojë punonjësin e operacionales Jeton Lami, i cili rezultoi të kishte shoqëruar për një kohë të gjatë Ervis Martinaj dhe persona të tjerë të grupit të tij./m.j