Fluski i shqiptarëve që emigrojnë drejt Britanisë së Madhe vijon të rritet dita-ditës. Mediat britanike shpesh i kanë bërë jehonë këtij fenomeni, i cili kryesisht kohët e fundit po realizohet me gomone.
Së fundi mediat britanike raportojnë për një rast kur një adoleshent shqiptar ka kërkuar ndihmë në një shtëpi në Dover në momentin që ka zbritur nga gomonia, pasi nuk dinte se ku të shkonte.
Ka qenë vetë zonja e shtëpisë 59-vjeçarja, Sue Doyley, e cila ka treguar se një 16-vjeçar i cili vinte nga Shqipëria i ka kërkuar ndihmë asaj që ta dërgojë në Manchester, por në momentin që ajo e ka refuzuar, ai i ka kërkuar të përdorë telefonin e shtëpisë së saj.
Zonja tha se ajo kishte lënë derën e pasme hapur, kur në një moment pranë bregut të detit ndaloi një gomone me rreth 80 emigrantë, ndërkohë që njëri prej tyre u afrua me shpejtësi pranë banesës së saj duke kërkuar ndihmë.
Këtë ngjarje e pa edhe fqinja e 59-vjeçares, Louise Monger, e cila ka shkuar menjëherë në ndihmë të fqinjes së saj, ndërsa ka tentuar të ndalojë adoleshentin shqiptar i cili ndodhej në atë moment në dhomën e gjumit, por e pati të pamundur.
Ndërkohë që disa minuta më pas shqiptari u kap nga policia. Emigracioni i paligjshëm është kthyer në shqetësim për banorët e zonës, të cilët kanë kërkuar shpesh ndihmën e policisë por edhe atë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë që qeveria britanike ka rritura masat e kontrollit në vijën bregdetare, për të parandaluar sa të mundet emigracionin e paligjshëm.
/e.d