Nga Alba Malltezi
Nëse një grup politikanësh dhe analistësh po bëjnë të pamundurën për të shitur në opinionin publik një PD të rimëkëmbur, të ëmbël, të bashkuar, të shëndoshur, të fortë, shtetformuese, ligjrespektuese, të moralshme, të gatshme fare të marrë në dorë drejtimin e Shqipërisë, fillimisht në zgjedhjet lokale e pastaj në ato të përgjithshme, nervozizmi i aktivistes konservatore shqiptaro-amerikane Evi Kokalari me shumë eksponentë të lartë të PD-së deri te Berisha vetë, së fundmi, shënon totalisht të kundërtën.
Duke qenë se është individi më i lirë dhe i hapur që i ka rënë për pjesë të futet në zemrën arkaike e të korruptuar të një partie thellësisht problematike, së pari për fatin e Shqipërisë e më pas për vetë fatin e saj, zonja Kokalari në të vërtetë është pasqyra më e pastër që iu është vënë në fytyrë të gjithë eksponentëve opozitarë. Dhe se si ata të gjithë duken, mjafton të ndjekim dhe të dëgjojmë reagimet publike që Kokalari në të gjithë këto muaj bën, por edhe deklaratat e eksponentëve të PD-së, se si e përshkruajnë ata, atë.
Duke i “masakruar” politikisht dhe publikisht shumë pjesëtarë të PD-së, Evi Kokalari ka ruajtur apo e ruan veten të godasë më të madhin dhe më të rëndësishmin: Sali Berishën. Jo sepse nuk e ka kuptuar se PD është Sali Berisha dhe se Sali Berisha është PD, por vetëm se si njohëse e mirë e pasurive të patundshme e di që një shtëpi pa themele dhe pa çati, nuk vlen fare në krahasim me një kullë të fortë e të pashembur në tregun imobiliar.
Sali Berisha gjithashtu, e ka stërvitur veten mirë të mos konsumohet deri në fund me ata që ende nuk e njohin. Eshtë specialitet i tij të mbajë sa më gjatë misterin nëse është ai apo nuk është ai që vendos në parti. Eshtë kaq i zoti në këtë gjë, sa disa të vërteta janë marrë vesh publikisht vetëm kur eksponentë të PD-së nuk janë më në këtë jetë.
Kështuqë, aktivistja konservatore shqiptaro-amerikane Evi Kokalari, kur sulmon e tërhiqet nga sulmi ndaj Berishës publikisht, e bën, sepse ende nuk e ka njohurinë e plotë për politikanin Sali Berisha dhe aftësinë e tij për ta bërë atë të mendojë e të flasë sikur të gjithë në PD janë të këqinj e budallenj dhe se më i miri dhe më i vlefshim është Ai, lideri suprem. Akoma për pak kohë.