Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshme shtetasen franceze Jennifer Chollet dhe ka dënuar me 12 vite në total, nga 6 secilin, dy të pandehurit e tjerë, Zinedin Nkeh dhe Jose Ngakam.
Togat e zeza rrëzuan të dyja akuzat e ngritura nga Prokuroria ndaj Chollet, atë të “falsifikimit të monedhave e kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda”, dhe “Mashtrimit të mbetur në tentativë”. Ndërkohë, dy të tjerët janë shpallur fajtorë për veprën penale të ‘falsifikimit të monedhave e kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda”.
Ndaj tyre ra akuza e mashtrimit. Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar në total 27 vite burg për 3 të pandehurit me shtetësi franceze, të cilët akuzohen për futjen e qindra mijëra eurosh të falsifikuara në vendin tonë. Prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar dënimin me nga 9 vite burg për shtetasit Jennifer Chollet, Zinedin Nkeh dhe Jose Ngakam.
Nga 9 vite burg, ndaj Ngakam dhe Nkeh zbriti në 6 për secilin për shkak të gjykimit të shkurtuar. Shtetasit e huaj kanë mohuar akuzat për futjen në Shqipëri të mijëra eurove të falsifikuara dhe letrave “Lastra” dhe kanë kërkuar pafajësi.
Sipas Prokurorisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të fusin në qarkullim në territorin e Shqipërisë rreth 1.2 milionë euro, kartëmonedha te cilat i janë sekuestruar shtetasit Jose Ngankam.
/s.f