Edi Rama në një takim me fermerët në Elbasan ka thënë se janë 3 prodhues të mëdhenj energjie të cilët kanë marrë fitime marramendëse sepse energjia është shtrenjtuar në stratosferë. Për këtë arsye tha se do të vendoset një taksë ndaj tyre e cila do të quhet taksa e fatit.
“Janë tre prodhues të mëdhenj energjie në Shqipëri dhe këtu nuk flasim për prodhuesit e vegjël, flasim për tre prodhues të mëdhenj të cilët kanë marrë fitime marramendëse, jo se kanë bërë ndonjë investim plus por sepse i ka ardhur nga fati, fatkeqësia e te tjerëve ka qenë fati i tyre dhe energjia është shtrenjtuar në stratosferë, ata e shesin dhe fitojnë shumëfish. Ajo që do bëjmë ne do vëmë një taksë të jashtëzakonshme, taksën e fatit.
Të erdhi fati po, ti mbaj fitimin tënd, pjesën tjetër do na i japësh ne sepse me atë pjesë do vazhdojmë ne t’i mbështesim edhe pensionistët edhe ata që janë më shumë në nevojë. Çfarë ka këtu për çudit? Dhe më e bukura është se këtë nuk e kemi shpikur ne, këtë e keni të shkruar në direktivën e BE-së në këtë kohë lufte dhe janë vendet njëra pas tjetrës që po vendosin.
Ne jemi në dialog me ato kompani, ua kemi bërë të qartë që këtu nuk vazhdon kjo punë kështu, që ata duhet të paguajnë. Dalin këta, po nuk kanë faj, sepse flasin këta për ne, po e dini ju që këta, ai non grada i ka falur hidrocentrale për një copë bukë prodhuesëve të mëdhenj. Jo një, katër hidrocentrale”, është shprehur Rama.
/s.f