Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, thotë se amendimi i ligjit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit që do të miratohet nga Parlamenti, do të mundësojë që të gjitha dosjet për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit do të hapen plotësisht dhe nuk do të jenë sekrete.
Në një lidhje me emisionin Opinion në Tv Klan, Balla tha se ky ligj është vetëm pjesë e një pakete.
Sipas tij, do të ketë edhe dy ligje të tjera. I pari, që do të pasojë atë të Dekriminalizimit që të gjithë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit do të ndalohen në politikë dhe do të ketë fuqi prapavepruese.
Ndërsa ligji tjetër do të jetë që ish-bashkëpunëtorët nuk do të lejohet të jenë as kryetarë të partive politike.
Blendi Fevziu: Çfarë synon amendimi i ligjit për dosjet? Kush janë ndryshimet konkrete që bëhen? Kemi 3 ligje deri tani, kemi 2 komisione për verifikimin e figurave dhe kemi disa ndryshime, është rrëzuar ligji i vitit 2009. Çfarë synojnë këto amendime?
Taulant Balla: Nuk ka 3 ligje, ka vetëm 1 ligj, i miratuar në vitin 2015 përmes të cilit është ngritur Autoriteti për Informim mbi dosjet e Sigurimit të Shtetit. Neni 29 pika 4 e pamundësonte këtë institucione që të verifikonte personat të cilët ishin verifikuar më parë nga komisionet Bezhani dhe Mezini. Në dritën e fakteve të reja që mund të dilnin dhe e vërteta rezultoi që në Korrik të këtij viti, ky institucion duke verifikuar personalitete të ndryshme të cilët janë subjekt i verifikimit që mund të ishte një gjyqtar, një politikan, një punonjës i Policisë së Shtetit, konkludoi se për këta persona nuk mund të bëheshin verifikime të mëtejshme dhe pajisja me certifikatë që është bashkëpunëtor ose jo për shkak se i pengonte ky filtër i paligjshëm. Ky ishte thelbi i nismës së propozuar nga ana ime dhe i koleges Bushka. Më pas PD, grupi parlamentar i PD, kanë sjellë dhe disa propozime të tjera, që ai amendament është në fakt zgjedhja e mesme e përpjesshme që sonte të votojmë të gjithë së bashku në konsensus, që është ligji i parë i një pakete.
Blendi Fevziu: Do ketë dhe ligje të tjera më pas?
Taulant Balla: Po, po. Ligji që pritet të vijë së shpejti është ligji për informacionin e klasifikuar në Republikën e Shqipërisë, i cili i deklasifikon, prej atij momenti të gjitha dosjet e Sigurimit të Shtetit nuk janë më sekret shtetëror.
Blendi Fevziu: Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë mund të verifikojë online të gjitha dokumentet e Sigurimit të Shtetit?
Taulant Balla: Sipas atyre parashikimeve që lexuat te amendamenti im.
Blendi Fevziu: Kjo vlen për të gjithë personat? Një qytetar i thjeshtë që mund të jetë në një zonë periferike ka sens që materialet e tij të qarkullojnë në internet dhe të përdoren për çdo lloj pavarësisht rolit që mund të ketë luajtur.
Taulant Balla: Ne kemi përcaktuar që dosjet të gjitha hapen, por të drejta ka të kërkojë gjithkush që duhet të paraqesë pranë Autoritetit për Informim një kërkesë për të justifikuar informacionin dhe mban përgjegjësi nëse atë informacion e keqpërdor për qëllime që nuk kanë të bëjnë me informimin.
Blendi Fevziu: Do ketë një transparencë të plotë mbi materialet e Sigurimit të Shtetit.
Taulant Balla: Po. Nesër do të vazhdojmë me 2 ligje të tjera; ndryshimin në ligjin për integritetin e personave që zgjidhen ose emërohen, i ashtuquajtur ligji i Dekriminalizimit. Duke qenë se para 7 vitesh kemi parashikuar që personat që zgjidhen nuk mund të jenë persona të cilët të jenë dënuar për krime të ndryshme ose që kanë gënjyer me certifikatën e tyre të dekriminalizimit, e njëjta vlen dhe për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Pas miratimit të këtij ligji ish-bashkëpunëtorët nuk mund të zgjidhen anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të këshillave bashkiakë, kryetarë të bashkive e më lart pastaj. Është propozuar dhe një ndryshim që verifikimi ose vetëdeklarimi të bëhet në një kohë të mjaftueshme në një mënyrë që KQZ të ketë mundësi të verifkojë, megjithëse ligji ka fuqi prapavepruese, që do të thotë që edhe pse je zgjedhur dhe rezulton që ke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, e humb mandatin. Nesër depozitohet dhe një projektligj tjetër, që personat që kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit natyrshëm që përjashtohen nga zgjedhja por duhen përjashtuar edhe nga të qenurit kryetar të partive politike.
/a.r