Shqiptarët vijojnë të zgjedhin largimin me gomone për në Angli por nëse kapen refuzojnë të kërkojnë azil pasi druhen se do të dërgohen “pako postare” në Ruanda.
11 shqiptarë janë riatdhesuar me çarter në Shqipëri javën e kaluar.
Emigrantët kishin mbërritën në Angli nga Franca veriore në fillim të këtij muaji. Ata u dërguan në një ish-bazë ajrore RAF në Manston, Kent, e cila po përdoret për të grumbulluar emigrantët që hyjnë në Angli me gomone.
Pasi refuzuan të kërkonin azil, autoritetet i nisën menjëherë për në Shqipëri.
Të 11-të shqiptarët u dërguan në aeroportin Stansted, ku hipën në një fluturim me çarter për në Tiranë, thanë burimet.
Media britanike e konsideron një përparim të madh në trajtimin e emigrantëve që vijnë me gomone këtë marrëveshje pasi shtatë javë më parë ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel propozoi një marrëveshje me homologun e saj shqiptar për një skemë të ‘largimit të shpejtë’.
Edhe pse ky projekt ende nuk është ratifikuar përfundimisht, besohet se ripërtëritja e bashkëpunimit me qeverinë e Tiranës luajti një rol në largimin e 11 shqiptarëve.
Por përqindja e aplikimit për azil mendohet se ka rënë, nisur nga skema e qeverisë për të dërguar azilkërkuesit në Ruandë, raporton gazeta britanike Daily Mail.
Kur Patel publikoi skemën në gusht, burimet treguan se në disa raste shqiptarët mund të ktheheshin mbrapsht ‘brenda disa orësh’.
Oficerët e lartë të policisë nga Shqiperia erdhën në Britani për të vlerësuar se si mund të punonin së bashku me zyrtarët e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Zonja Patel tha në momentin e njoftimit:
“Është e turpshme dhe absurde që kaq shumë shtetas shqiptarë po hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla kur vendi i tyre, Shqipëria, është një vend i sigurt”.
Home Office ka nisur gjithashtu një fushatë për të penguar shqiptarët që udhëtojnë ilegalisht në Britani.
Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha:
“Ne i bëjmë thirrje kujtdo që po mendon të largohet nga një vend i sigurt dhe të rrezikojë jetën e tyre në duart e kontrabandistëve të njerëzve, të rishqyrtojnë urgjentisht. Pavarësisht gënjeshtrave që janë shitur, ata nuk do të lejohen të fillojnë një jetë të re këtu.”
Sipas DailyMail, mësohet se 60 përqind e emigrantëve që futen nga Franca veriore janë shqiptarë.
Që nga fillimi i vitit, rreth 37.000 emigrantë kanë hyrë në mënyrë ilegale në Britaninë e Madhe, ku 10.000 prej tyre mendohet të jenë shqiptarë./m.j