Pas një denoncimi të mëparshëm lidhur me këqtrajtimin e të miturve në Shtëpinë e Fëmijëve në Sarandë, policia ka nisur procedim penal për drejtoreshën Stela Dako dhe psikologen e institucionit, Raviola Beqiraj.
Gjithashtu është bërë edhe pezullimi nga detyra i një oficeri të patrullës, i cili po ashtu akuzohet se keqtrajtoi një të mitur. Lajmin e bëri të ditur policia përmes një njoftimi, ku shtoi se hetimi për çështjen po vijon.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Vlorë
Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një shtetas të mitur që ankohej se fëmijët e shtëpisë së fëmijëve “Vangjel Pula”, ishin keqtrajtuar nga stafi i këtij institucioni dhe nga një efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në prani të psikologes së Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve, kanë intervistuar shtetasin e mitur që shfaqet në pamjet filmike, i cili ka deklaruar se pamjet janë filmuar rreth 1 vit më parë. Për këtë rast janë kryer të gjitha veprimet procedurale, për shoqërimin dhe intervistimin e palëve të përfshira. Në vijim të këtyre veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetaset S. D., 58 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e shtëpisë së fëmijës “Vangjel Pula” dhe R. B., 29 vjeçe, me detyrë psikologe në këtë institucion, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqtrajtimi i të miturit”.
Gjithashtu, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit A. Sh., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Delvinë, pas deklaratës nga shtetasi i mitur se ky punonjës policie e kishte keqtrajtuar.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të tilla dhe i fton sërish që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën, sjellje të pahijshme apo tejkalim të kompetencave të punonjësve të Policisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
/e.d