Në fjalën e tij në Përmet, kryeministri Rama nuk la pa sulmuar as opozitën, të cilën shpesh e quan “opozita e rublave”. Sipas Ramës, historia e opozitës me paratë ruse është më e gjerë sesa ajo që dimë.
“Por si çdo dardhë që e ka bishtin prapa edhe kjo është një dardhë që e ka bishtin prapa”, tha Rama.
Rama foli edhe për fjalimin e tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës, duke thënë se “nuk është rastësi që delegacioni shqiptar atje u nda dhe ata që dje ishin në pushtet votuan pro atij turpi, që i quajnë shqiptarët barbarë”.
“Sikur mos mjaftonte inflacioni i luftës së Putinit, kemi edhe opozitën e rublave. Historia e tyre me rublat është një histori më e gjerë sesa ajo që dimë. Për të cilën tani janë futur në sherr kush i kishte paratë dhe kush e dinte dhe kush nuk e dinte. Kur ajo doli në shesh të gjithë u hodhën që nuk kemi lidhje, ky s’ka lidhje etj.
Tani po mundohet të thonë kush ka dhe kush nuk ka lidhje. Por si çdo dardhë që e ka bishtin prapa edhe kjo është një dardhë që e ka bishtin prapa. Nuk është aspak rastësi, që edhe ajo historia e rezolutës së turpit me trafikimin e organeve që i ka vënë një stampë turpi jo luftëtarëve të UCK, por kombit shqiptar, sepse na identifikojnë ne si njerëz barbarë që trafikojnë edhe organe njerëzish kur janë duke luftuar për lirinë e tyre.
Nuk është rastësi, që delegacioni shqiptar atje u nda dhe ata që dje ishin në pushtet votuan pro atij turpi.
Sic nuk është kjo rastësi kjo më vonë, sic nuk është rastësi edhe mënyra sesi edhe në një situatë si kjo kërkojnë vetëm të hedhin më shumë benzinë në një zjarr që e ka ndezur një armik”, tha Rama./m.j