Klement Çala ka dalë nga regjimi 41-Biss. Ka qenë GJKKO që ka pranuar kërkesën e tij për të mos vuajtur dënimin në regjimin 41-Biss.
Kujtojmë se Çala u arrestua në mars të vitit 2020 në një vilë në Qerret dhe është dënuar me 20 vite burg nga GJKKO.
Ai akuzohej për grabitjen e 4.6 milion eurove në Rinas, në vitin 2019, së bashku me disa shokë të tij bashkëpunëtorë.
Anëtarët e tjerë të grupit, Oltian Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe i penduari i drejtësisë Alkond Begasi janë dënuar me nga 17-vite burgim.
Gjithashtu Gjykata vendosi që ata ta kryenin dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Por vetëm tre muaj pasi Klement dhe Eldi Çala u mbyllën në regjimin 41 biss, ata u akuzuan sërish nga prokuroria për futjen e sendeve të paligjshme në ambientet e burgut.
Lidhur me këtë çështje ata u morën si të pandehur në Gjykatë, ku vijoi një hetim i thelluar lidhur me futjen e objekteve të ndaluara brenda burgjeve.
Tre telefonat celularë u zbuluan nga forcat operacionale të DAP dhe sollën gjatë kësaj kohe një “furtunë” brenda 313, jo vetëm për lehtësinë si kishin depërtuar në qeli sendet e ndaluara, por edhe për faktin që secili posedonte rrjete sociale si Instagram.
/e.d