30-vjeçari Sokol Tabaku ka dalë sot para Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për tu njohur me masën e sigurisë. Dy ditë më parë Tabaku masakroi në kokë e trup me sende të forta 40-vjeçarin Arjan Marini, pas një konflikti. I plagosuri ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës në Tiranë, me dëmtime në kafkën e kokës dhe në tru.
Prokurori i çështjes Ledion Tema, pasi ka paraqitur të gjitha provat e nevojshme që e implikojnë Tabakun, i ka kërkuar gjykatës vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tij dhe ka kërkuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjyqtarja Enetela Gjoni, pasi ka dëgjuar edhe pretendimet e avokatit mbrojtës, ka vendosur të vlerësojë “të ligjshëm” arrestimin e 30-vjeçarit Sokol Tabaku dhe ka caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg” ,me afat 60-ditë.
Avokati i Tabakut Shuaip Syri ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm dhe se nuk është ai autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa motra e të plagosurit kërkon drejtësi.
/s.f