Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali të premten. Luka Cifci, një 23-vjeçar, i lindur në Greqi, por me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti.
I riu udhëtonte së bashku me 3 shokë të tij. Makina e cila drejtohej jo nga ai doli nga rruga në një rrethrrotullim dhe u përplas me barrierat anësore. Por përplasja ishte shumë e fuqishme për 23-vjeçarin saqë trupi i tij ka dalë nga makina pasi u thyen xhamat.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, rruga ku ndodhi ngjarja, pra aksi që lidh Perugia-n me Citta della Pieve është një rrugë problematike pasi ndodhin shumë aksidente.
Tashmë autoritetet po punojnë për të përcaktuar shpejtësinë me të cilën po udhëtonin djemtë. Tre shokët që ishin me Cifcin u plagosën lehtë. Prokuroria ka nisur po ashtu hetimet për të zbuluar nëse shoferi ishte nën efektin e alkoolit apo drogës në momentin e aksidentit.
I riu shqiptar punonte si kuzhinier në një restorant, por ditët e fundit ishte mbyllur për shkak të festave. 23-vjeçari lindi në Athinë të Greqisë, por prej 10 vitesh banonte në Castiglione del Lago.
Në rrjetet sociale kanë qenë të shumta reagimet për ndarjen nga jeta të 23-vjeçarit. Luka Cifci njihej dhe respektohej shumë në zonën ku punonte si kuzhinier.
/a.r