Çekia është një shtet që nuk e adhuron shumë Kosovën. Por, një eurodeputet i saj ka dalë fare hapur. Eurodeputeti çek Thomas Zdechovsky, është deklaruar kundër heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, një hap i tillë do të hapte një valë të re migrantësh në Evropë.
Deputeti çek në Parlamentin Evropian, ka thënë se Kosova nuk është shtet i plotë demokratik që respekton të drejtat e pakicave. Përveç kësaj, sipas tij, institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen vazhdimisht për korrupsionin në polici, tek autoritetet dhe tek politikanët.
“Për këtë arsye, nuk pajtohem me presidentin e Komisionit Evropian, [Jean-Claude] Juncker dhe me zëvendëspresidenten [Federica] Mogherini se kosovarët duhet të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian”, ka thënë Zdechovsky për “Parlamentnilisty”, transmeton Koha.net, duke përmendur kështu arsyet e tij se përse BE duhet ta vonojë edhe për së paku dy vjet heqjen e vizave për popullin e Kosovës.
“Nëse ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, Evropa duhet të përgatitet për një valë të re migrantësh nga Ballkani”, ka theksuar Zdechovsky. Arsyeja e largimit, sipas tij, është “shkalla e lartë e papunësisë, pasiguria dhe problemet ekonomike që i bëjnë shumë të rinjtë të mos shohin të ardhme në Kosovë dhe të mësyjnë Evropën Perëndimore, veçanërisht Gjermaninë”, transmeton Koha.net.