Nga Dritan Hila
Shqipëria nuk ka shumë raste të flasë në tribuna ndërkombëtare dhe ky është një rast që duhet shfrytëzuar.
E kanë bërë të gjithë udhëheqësit shqiptarë dhe nëse dikur do të merrnin mendjen e atyre që janë bërë me qibër sot, ne nuk do kishim të regjistruara as fjalimet e Fan Nolit (meqë kanë qejf ta citojnë shpesh).
Një vend si Shqipëria, pa peshë politike, ushtarake dhe ekonomike në botë, nuk mund të lerë pa përdorur të paktën mundësinë e propagandës. Me siguri qibarët e sotëm, nëse Rama nuk do ta bënte, do të gjenin sebep dhe ta kritikonin.
Tribunat ndërkombëtare nuk janë as talk show ku protagonistët duhet të llogarisin vëmendjen e publikut dhe shikueshmërinë, dhe as debat publik i brendshëm, siç është një ndër kritikat. T’i llogarisësh në këtë mënyrë, i bie që je parapolitik. Fidel Kastro ka folur 4 orë e gjysmë në OKB; udhëheqës të rëndësishëm dëgjohen nga 3-4 veta në Parlamentin Evropian, por kjo nuk ia heq rëndësinë vendit dhe problemeve që ngrihen pasi nuk bëhet për shikueshmëri por për të ngritur kauza dhe shënuar rekorde.
Fjalimi i Ramës ishte një fjalim i nevojshëm si rekord në Asamblenë e Këshillit të Evropës, përndryshe pas një shekulli një historian do të gjente aty vetëm raportin e Dick Martin dhe votimin pro të delegatëve të qeverisë Berisha.
Ishte e nevojshme që pikërisht në atë vend ku u ngrit akuza ndaj UÇK dhe shtetit shqiptar, dikush të thoshte se akuza ishte e gjitha një shpifje.
Fjalimi i Ramës ishte i nevojshëm në kohën kur rusët dhe filoputinianët nuk lënë rast pa përmendur çlirimin e Kosovës si rast të shkeljes së të drejtës ndërkombëtare dhe madje gabimin që bëri perëndimi duke përkrahur UÇK-në si organizatë që tani drejtuesit po i gjykohen si kriminelë lufte. Do të ishte gafë lënia bosh e kësaj tribune.
Sa për faktin që deputetë grekë apo rumunë ju ka mbetur hatri, kjo është e pritshme nga dy vende që nuk njohin Kosovën. Por është edhe një lehtësim kur mendon që tekahyt dhe gagaçë në politikë nuk qenka vetëm ves i yni. E nëse një personi si Berisha që nuk i japin as vizë, i bën përshtypje që na mbajtën hatër rumunët e grekët, atëherë nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.