3 persona kanë rënë në prangat e bluve të Elbasanit, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kërcënuar në rrjetet sociale një person për t’i marrë një shumë prash prej 3000 eurosh.
Personat e arrestuar janë një 60-vjeçar me iniciale H.P.; një 28-vjeçare me iniciale Xh.GJ., dhe një 42-vjeçar me iniciale S.A.
Njoftimi i plot i Policisë:
Vihet në pranga, në tentativë për të marrë shumën e parave, edhe një shtetas tjetër që ishte porositur nga 2 të arrestuarit për të kryer këtë veprimtari kriminale.
Specialistët e Sektorit të Shërbimeve të Specializuara, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të DVP Elbasan, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas ishte shtrënguar dhe kanosur për dhënien e një shume parash prej 3000 eurosh, kanë regjistruar procedimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe pas hetimeve proaktive, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në kohë, në kuadër të operacioni policor të koduar “Taksisti”, në momentin kur shtetasi po u jepte shumën e parave të kërkuar, shtetasve të tjerë.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-H. P., 60 vjeç, Xh. Gj., 28 vjeçe dhe S. A., 42 vjeç, të tre banues në Elbasan, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit Xh. Gj. dhe S. A. kanë shtrënguar një shtetas, duke e kanosur atë në rrjete sociale, për dhënien e shumës prej 3000 eurosh, ndërsa shtetasi H. P. është porositur nga 2 të arrestuarit e tjerë, për të shkuar me automjetin e tij, me shërbim “Taxi”, për të marrë shumën e parave. Në vijim të veprimeve, janë referuar materialet dhe është proceduar në gjendje të lirë shtetasja A. H., 25 vjeçe, bashkëshortja e shtetasit S. A., e dyshuar e përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma e parave prej 3000 eurosh, 2 automjetet me të cilat leviznin të arrestuarit dhe 6 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/s.f