Deputeti, Luan Baçi, thotë grupi i Alibeajt nuk është i sinqertë në nismën e tij drejt bashkimit. Që kur Alibeaj mandatoi Bardhin për negociata, Baçi thotë për Ora News se nuk ka ndodhur asgjë vetëm retorikë dhe deklarata televizive.
“PD vazhdoj të luftojë me vlerat e demokracisë brenda vetes. Statusi që bëra atë ditë nuk është për tu çuditur. I qëndroj 100% atyre që kam thënë aty dhe vazhdoj ti argumentoj me fakte.Këto ditët e fundit po flasim për bashkim sikur ndodhi ndonjë çudi e madhe në këtë marrëdhënie që kemi mes njëri-tjetrit. Nuk ka ndodhur asgjë. Retorikë dhe deklarata televizive ku flitet për bisedime për dalje me një kandidat të përbashkët.Bisedimet nuk mund të çojnë në zgjidhje përfundimtare të këtij rezultati. PD është institucion. Zgjidhja jepet në strukturë dhe brenda institucionit”, tha ai.
Sipas tij,”këta deputetë që sot kërkojnë të bashkëpunojnë për të dalë me një kandidat të përbashkët pretendojnë të mbajnë emrin e PD pa pasur vota, me anë të një loje të pisët politike që luhet në gjykatë. Një ankimim i paligjshëm”.
Deputeti demokrat thotë se kolegët tij janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD dhe nëse duan tu japin sinjal pozitiv demokratëve të kërkojnë një mbledhje të Këshillit, të ulen dhe të diskutojnë për kandidatët e përbashkët.
Baçi thotë se nuk bëhet fjalë për inate personale por për parime.
“Nuk kam asnjë inat personal.Miqësinë që kam pasur me Alibeaj pak mund ta kenë pasur por nuk është punë miqësie por parimi. Alibeaj duhet me patjetër të marrë atë vendim që vlen për demokratët, të rikuperojë pikët e humbura te demokratët që kanë vajtur në fund fare.Por ka sërish mundësi ti ngrejë nëse reflekton”.
Të gjitha këto diskutime, sipas tij mund të bëhen brenda grupit parlamentar.
“50 deputetë jemi. Një mbledhje e përbashkët i zgjidhte të gjitha problemet por nuk ka dëshirë për diçka të tillë. Mbyllja në zyrat e kryesisë të Linditës dhe dërgimi i shkresave te Lindita për të mbajtur kryetarin e grupit me forcë, për të mbajtur vulën dhe siglën me një ankim në gjykatë kjo ka vetëm një fund: Çdo gjë do ta drejtojnë anëtarët e PD”.
/s.f