Kanë marrë një tjetër kthesë hetimet për ngjarjen e rëndë në Klos mesditën e sotme ku u vranë me armë zjarri babë e bir dhe më pas autori i krimit kreu vetëvrasje.
Dyshimet janë se dy adoleshentët Kenado Shira dhe kushëriri i tij 14-vjeçar Renato Hasula 17-vjeç kishin shantazhuar me foto dhe video vajzën e autorit të vrasjes së 2-fishtë, Fiqiri Mjeshtri.
Sipas Ora News, për shkak të ngacmimeve që kishin vazhduar për disa ditë, e mitura kishte 4-5 ditë që nuk shkonte në shkollë, ndërkohë që në dijeni të konfliktit kanë qenë edhe mësuesit.
Ka qenë Fiqiri Mjeshtri ai që ka kërkuar të takohen në lokal që të sqarohen duke thirrur baballarët e dy djemve, Ilir Shira dhe Eglantin Hasula, të cilët ishin baxhanakë me njëri tjetrin. Bashkë me ta në lokal kanë qenë edhe dy djemtë e tyre, të cilët sapo kishin dalë nga shkolla.
Fillimisht ata janë konfliktuar fizikisht dhe më pas Fiqiri Mjeshtri i cili shoqërohej edhe nga dy vëllezërit e tij, ka nxjerrë armën duke vrarë babë e bir Ilir dhe Kenado Shira ndërsa ka plagosur Eglantin dhe Renato Hasulën.
Aktualisht në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë po merret vajza e Fiqiri Mjeshtrit i cili u vetëvra pas kryerjes së vrasjes së 2-fishtë. Ajo është pyetur nga efektivët nën shoqërinë e psikologes së shkollës.
/e.d