Nga Jakin Marena
Shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë pasur por dhe kanë akoma më shumë pritshmëri nga drejtësia e re, e cila ka startuar të paktën këtu e tre vite më parë me konstituimin e SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës së Posaçme.
Nuk mund të themi se ka qënë e plotësuar në mënyrë normale, ligjore dhe Kushtetuese me të gjithë numrat e anëtarëve për të qënë një institucion i konsoliduar drejtësia e re, por përderisa është konstituuar, ka zgjedhur drejtuesit, duhet të pranojmë se ka qënë më se gati institucionalisht për të kryer funksionin për të cilin është ngritur.
Partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE kanë hedhur mijëra e mijëra euro për nisjen e punës së kësaj drejtësie, pjesëtarët e të cilës gëzojnë privilegjet më të larta në tërë administratën shtetërore të Shqipërisë, por dhe krahasuar me ata privatë në këtë vend.
Ndonëse jemi një vend me ekonomi modeste, pavarësisht në rritje të vazhdueshme ekonomike, në tërë këto vite nuk është parë asnjëherë të “mblidhet” dora, por janë hedhur para në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet financiare, institucionale, ligjore e deri tek trajtimi i familjarëve të prokurorëve dhe gjyqtarëve specialë, me një trajtim prej “mbreti”.
Nëse i kushton vëmendje sadopak të gjitha takimeve që drejtuesit e institucioneve kanë zhvilluar në komisionet parlamentare për buxhetin e vitit të ardhshëm, vihet re me sy të lirë se tek SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë së re, nuk është diskutuar kurrë fondi. Pra kanë marrë aq sa kanë kërkuar, e përkthyer kjo me paga të larta, më të lartat në vend, me lehtësira të tjera, por dhe me një mbrojtje institucionale ndaj ndërhyrjes së politikës, e cila deri dje kishte në “dorë” emërimin e prokurorëve e gjyqtarëve, e deri tek lehtësia për të marrë nën hetim apo për të dënuar cilindo politikan apo zyrtar të lartë. Lehtësira kushtetuese këto. S’ka më zhdukje provash, refuzim prokurorie apo pengesa të tjera të këtij lloji, siç ndodhi nga viti 2005 e deri më 2013.
Ia vlen të përmendim këtu edhe mbështetjen e fortë ndërkombëtare, qoftë institucionale, qoftë dhe financiare, përmes trajnimeve speciale në Shqipëri dhe në qendrat më të mira të hetimit dhe gjykimit në vendet respektive. Madje dhe me fonde direkte. Nuk u mungon asgjë.
Pra është bërë gjithçka, për ta barazuar drejtësinë e re shqiptare në të gjitha parametrat me drejtësinë që funksionon në të gjitha vendet me demokraci dhe sistem ligjor të konsoliduar. E thënë me fjalë më të thjeshta, prokurorët dhe gjyqtarët e drejtësisë së re janë njerëzit më të paguar dhe më të mbrojtur në Shqipëri, vetëm e vetëm për të bërë drejtësi në këtë vend, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë. Me një fjalë për të mos e ‘vrarë’ mendjen për asgjë, por thjeshtë të bëjnë punën për të cilën janë zgjedhur aty.
Por cili është rezultati, tashmë që po mbushen tre vite që drejtësia e re është ngritur me aq shumë mund, përpjekje, shpenzime dhe përplasjeje deri politike, ku rol të dorës së parë në këtë ngritje të drejëtsisë së re kanë SHBA dhe BE. Për të mos thënë që janë “krijuesit” e saj.
Në mënyrë të përmbledhur, apo e thënë në termat bashkëkohorë e marrë në dimensionin “macro”, prokurorët dhe gjyqtarët deri më tani kanë realizuar me efektivitet të plotë marrjen e rrogave dhe përfitimeve financiare e institucionale që burojnë nga funksionet për të cilat janë zgjedhur. Pra nuk kemi deri më tani asnjë prokuror apo gjyqtar që në fund të ditës të ketë thënë: çfarë kam bërë sot që të meritoj këtë pagë të lartë, këto benefice për vete dhe familjen, kushtet moderne të punës etj?!
Ajo që kanë parë dhe që e thonë shqiptarët me zë të lartë e me zë të ulët, është se nuk kanë bërë asgjë për t’u shënuar, përpos disa lëvizjeve të vogla! Apo siç thuhet rëndom për të mos u “thyer zemrën” dhe për t’u dhënë kurajo pjestarëve të drejtësisë së re, se “është ecur para, me hapa të vogla por është ecur ama”. Megjithëse nuk kemi asnjë zyrtar të lartë, nga ata të “korrupsionit me brirë 2 metra” që të ketë shkelur në dyert e prokurorisë për t’u hetuar dhe jo më për t’u gjykuar në Gjykatë dhe marrë dënimin sipas ligjeve të shtetit në fuqi.
Nëse do pyesje çdo shqiptar se si e përfytyronte punën e drejtësisë së re, duke filluar me SPAK, vijuar me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe përfunduar me Gjykatën e Posaçme, në masën 90 përqind do të përgjigjeshin: E mendojmë duke hetuar “dinozaurët” e mëdhenj të politikës dhe korrupsionit në Shqipëri, ish presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe ish ministrin, ish zv.kryeministrin, ish kryeministrin dhe ish Presidentin e Republikës Ilir Meta(j). Madje dhe vetë Berisha e Meta ishin koshientë për këtë, teksa akuzonin SHBA dhe kryeministrin, me artificën se “janë SOROS dhe Edi Rama ata që kanë bërë drejtësinë e re për të na dënuar ne”.
Për asnjë shqiptar drejtësia e re nuk e ka kryer funksionin e saj për të cilin është ngritur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend, nëse nuk vihen para drejtësisë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Të hetohen dhe gjykohen. Nuk thotë askush të dënohen me çdo kusht. Nëse janë të pafajshëm të pastrohen nga të gjitha akuzat, dhe të gjithë ata që i kanë akuzuar që në krye të herës e deri më tani, ta mbyllin gojën nga i pari deri te i fundit njëherë e mirë, pa asnjë diskutim.
Por deri më tani SPAK nuk ka guxuar as të thërrasë për të dëshmuar as si “person që ka dijeni” për afera apo krime nga më monstruozet, as Sali Berishën dhe as Ilir Metën. Kanë 8 çështje nën hetim të dy bashkë, janë deklaruar nga vetë SPAK. Madje SPAK ka dhënë dhe deklarata të tilla të “guximshme” duke paralajmëruar me afate të përcaktuara që Berisha apo Meta do të thirren për të dëshmuar. Deri më tani s’kemi parë asgjë, pavarësisht se pritshmërisë së shqiptarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë po u vjen fund.
Kanë nisur pak e nga pak të humbin besimin se kjo drejtësi ka “këllqe” për të thirrur këta dy politikanë që për 30 vite kanë krye vepra të tilla, që në një vend me drejtësi normale, do të ishin me kohë e vakt të veshur me ‘kostumin me vija’ të burgut. Jo të na riktheheshin sërish në politikë dhe të na jepnin leksione demokracie apo se si luftohet korrupsioni, respektivisht dy herë në ditë në të gjitha mediat shqiptare.
Janë nën hetim, por që për çudi pa “autor” të pyetur plot vepra panale, që nga afera e privatizimit të kompleksit “Partizani” nga familja Berisha, nga afera e CEZ-DIA ku të përfshirë janë Berisha dhe Meta, nga shpërthimi tragjik i “Gërdecit” ku u vranë shtetërisht 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë dhe nën akuzë veç ministrave janë dhe Berisha e familja e tij, nga vrasja e 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011 nga Garda e Republikës, ku nën akuzë sërish është Berisha asokohe kryeministër, apo afera e korrupsionit me bllok në dorë ku kërkoheshin 700 mijë euro ryshfet nga ish zv.kryeministri Ilir Meta, e deri tek shpenzimet marramendëse për lobime me para ruse apo nga bota e nëndheshme e krimit me autorë Metën e Bashën, plus dhe shpenzime të tjera estetike e “gastronomike” në qendër të së cilës është familja Meta-Kryemadhi.
Të gjitha këto janë çështje nën hetim, të deklaruara nga vetë kreu në largim i SPAK Arben Kraja, por që asnjëherë s’ka guxuar të thërrasë aktorët kryesorë të këtyre akteve korruptive e kriminale, Sali Berishën dhe Ilir Metën. As për të dëshmuar si njerëz që kanë dijeni.
Pra shqiptarët dhe ndërkombëtarë, me shumë dhimbje kanë parë që drejtësia e re, jo vetëm që nuk e “ka thyer në mes” krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta në këtë vend, përkatësisht të përfaqësuar nga Berisha e Meta, por janë “thyer në mes” nga presioni i këtyre “dinozaurëve” të politikës shqiptare, që ia kanë nxjerrë “ujin e zi” këtij vendi për 30 vite me radhë, duke mos lënë gjë pa bërë në kurriz të shqiptarëve, të cilët vijojnë të presin drejtësi në këtë vend, nga drejtësia e re që i dhanë shpirtin për të funksionuar.
Me sa duket Sali Berisha dhe Ilir Meta, në mënyra të ndryshme, qoftë indirekt apo në mënyrë të drejtëpërdrejtë, teksa kërcënojnë se “godasin direkt më të fortin” apo që “thyejnë në mes kryeministrin”, në të vërtetë ata kanë goditur me të parën dhe e kanë këputur në mes atë që në Shqipëri mendohej si më e forta: Drejtësinë e re shqiptare. Mesazhi ka qënë për prokurorët dhe gjyqtarët që të rrinë urtë, duke shfrytëzuar një mijë e një fijet me të cilat kanë qënë të lidhura me ta, apo dhe ‘veset njerëzore’ të ndonjërit prej tyre. Pra janë kërcënuar, dhe drejtësia s’flet as për vete!
Në të njejtën gjatësi vale, përsa i përket shqetësimit për ‘memecërinë’ e drejtësisë së re, presionit ndaj saj që i ka lënë pa gojë, ka qënë dhe aleati ynë më i madh, SHBA. Jo më larg se të martën, ka qënë ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ajo që ka dhënë një mesazh të fortë për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët, që të punojnë në përputhje me ligjin dhe me integritet.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, diplomatja e lartë amerikane u shpreh e vetëdijshme se ka përpjekje për të joshur gjyqtarë e prokurorë, me qëllim shtrembërimin e drejtësisë. “Ne jemi të vetëdijshëm për më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve – me fjalë të tjera, për t’u zvarritur në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet”, shkruan Yuri Kim e shqetësuar
Për më tepër Yuri Kim bëri thirrje dhe për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimi të paligjshëm në sistemin e drejtësisë. “Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Shqipëria duhet të ecë përpara, jo prapa, madje as të qëndrojë në vend. SHBA po i kushton vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe të do vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi”, shprehet ambasadorja amerikane.
Pra e thënë e “zeza mbi të bardhë” Yuri Kim ka kërkuar atë që kërkojnë të gjithë shqiptarët nga drejtësia e re: Të bëjë drejtësi. Kanë vënë re pikërisht atë që kanë vënë re të gjithë shqiptarët se: Drejtësinë e re këto maskarenjtë e politikës e kanë “tredhur” dhe e mbajnë nën këmbë, me forma dhe mjete të ndryshme, që gjithsesi dihen të gjitha, por që nuk thuhen kurrë. Janë të lidhura me një mijë e një fije me elementët më kriminalë dhe më të korruptuar në këtë vend, duke filluar nga Sali Berisha e Ilir Meta dhe përfunduar tek zyrtari më i thjeshtë.
Alarmi amerikan është legjitim, pasi kanë hedhur miliona për të ngritur këto struktura që pas tre vitesh duhej të kishin dhënë një produkt. Por deri më tani kanë dhënë pak për të mos thënë aspak. Prandaj dosjet zënë njëra tjetrën, ndërsa veprat penale, bëjnë që të harrojnë njëri tjetrin, duke shkaktuar një efekt “domino” në tërë drejtësinë shqiptare, nga SPAK e deri tek prokuroria e qarkut, të cilët bëjnë sikur hetojnë por nuk thirrin askënd dhe zvarrisin kopsitjen e dosjeve dhe çështjeve, duke bërë që të harrohen të parat, nga fluksi i kallzimeve të reja.
Apo nga Gjykata e Posaçme deri tek gjykata më e vogël e qarkut, të cilët bëjnë sikur gjykojnë, por përmes artificave i shtyjnë pafundësisht çështjet, deri në daljen e të rejave që ua kanë humbur kuptimin të parave. Eshtë një skemë “funksionale”, që justifikohet me mangësinë në prokurorë dhe gjyqtarë, por që s’ka asnjë justifikim pasi asnjë çështje nuk ka shkuar në fund, apo të jetë dhënë një produkt dhe të ketë marrë dikush përgjegjësi. Dhe atëherë kur e kanë bërë në raste të rralla, në fakt i kanë bërë “naftën” drejtësisë, duke qënë kontrapedal me të gjitha kodet.
Kur nuk thirret për t’u pyetur Sali Berisha që ka mbi kurriz disa akuza për vrasje shtetërore, për shkatërrim të shtetit nga themelet, i certifikuar dhe nga SHBA që e shpalli familjarisht person “non grata” për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, që ka mbi kurriz afera korruptive që shkojnë në qindra milionë euro, atëherë akuzat për korrupsion milionash më pas, asnjëherë nuk do të merren nën hetim dhe nuk do të gjykohen. Dhe mbi të gjitha për të kthyer paratë e vjedhura në arkën e shtetit. Eshtë detyrim, pasi qëllimi ky është, zhdëmtimi i shtetit, i masakruar nga kokat e korrupsionit.
Kur nuk thirret për t’u pyetur Ilir Meta, me tërë ato akuza në kurriz, nuk po përmendim akuzat e aleatit të tij politik Sali Berisha që nga vjedhja e floririt në Krrabë e deri tek vrasjet me pagesë, akuza që rëndojnë shumë jo vetëm në kurriz të ish presidentit, por dhe në kurriz të shqiptarëve, pasi është një rrogëtar me shumë pasuri dhe bën jetë “sheiku”, atëherë drejtësia nuk kap asnjëri tjetër me dorë. Themi për nivelet më të ulta të korrupsionit. Përkundrazi, bën që afera të tilla 500 mijë deri në 10 milionë euro, që mund të konstatohen nga institucionet ligjzbatuese, të quhen “gjëra të vogla”. Përderisa drejtësia hesht për “dinozaurët”, “minjtë” që janë në çdo vend si pjesë e administratës, ndjehen të mbrojtur dhe e gërryejnë shtetin nga themelet.
Ajo që themi është se duhet bërë një “skanër” për drejtësinë e re, një “vetting” për të vetuarit e kësaj drejtësie, për të parë se përse kanë heshtur dhe kanë bërë “pallë” për tre vite me radhë, duke u majmur me rrogat e larta dhe beneficet që janë hequr nga “goja” e shqiptarëve. Mbajnë përgjegjësi për paratë e pakthyera të të korruptuarve në arkën e shtetit, por dhe efektin “domino” që kanë shkaktuar në të gjithë shtetin shqiptar. Koha nuk pret. E tha dhe ambsadorja amerikane Yuri Kim, dhe ajo nuk flet pa baza. Asnjëherë s’ka folur kot.
Ehhhhhh moj zonja Juri Kim, sinqerisht mendoj se jeni naive…me këta horrat tanë që punojnë në SPAK… të cilët, kanë shpërdoruar besimin e madh dhe mbështetjen tuaj, për të luftuar korupsionin nl Shqipëri.
Sa për popullin shqiptar, ai asnjëherë, nuk ka patur dhe nuk ka besim tek kjo drejtësi.
Ju erdhët dhe po vjen koha të largoheni nga ky vënd, dhe akoma, nuk është dënuar as kryehajduti e as kryekrimineli, e pastaj me rradhë…….
Lëre pastaj hajdutët e kriminelët…
Invetsimi juaj, ka shkuar kot.
Përshëndetje.
Drejtesia qe pret populli kerkon njerez te afte dhe kurajoz.Mos valle shteti shpenxoi shume para qe te presim akoma cfar do te ndodh.Kush ka frike te kruej detyren duhet te pergjigjet materialisgt dhe oenalisht se kane hyre me vullnetin e tyre te lire ne SPAK dhe ne Gjykaten speciale