Nga Lorenc Vangjeli
Nëse një amvisë ka vetëm fasule dhe qepë në dollapin e saj të ushqimeve është e pamundur t’i kërkohet asaj që të servirë në tryezë, fjala vjen, një delikatesë në trendin e sotëm të kulinarisë së Tiranës si sushit. Afërmendsh që amvisa nuk do të jetë përgjegjëse për therjet e stomakut në mbrëmje dhe gurgullimat e zhurmshme gjatë të nesërmes. Menyja politike në Tiranë nuk afron më shumë alternativa. Me përjashtime shumë të rralla, në të majtë e të djathtë, në pozitë apo në opozitë, përjashtime që e bëjnë mungesën edhe më dëshpëruese, pejsazhi politik në Tiranë është një shkreti absolute buçitëse. Duke nisur me qeverisjen e administratën, duke vazhduar me parlamentin, median dhe deri tek popullata me kostume e konferencave apo protestave pa molotovë,
personazhet me autoritet vetjak, njerëzit që kanë dëshmuar një emër të përveçëm në të përditshme dhe karakter moral të qëndrueshëm, janë bërë specie në zhdukje. Gjithë-gjithë vetëm ca pak kokrra më shumë se shuma e luanëve dhe tigrave që ka sjellë në kopshtin zoologjik Erion Veliaj. Të paktën kjo është skica që vizaton qytetari i dëshpëruar shqiptar, ankues nga natyra, mosbesues nga tradita dhe skeptik jo vetëm për forcë zakoni.
Skena duket se është e ndarë. Nga një anë Edi Rama, triumfues serial në dekadën e fundit dhe përballë tij, Berisha i rikthyer dhe Ilir Meta që beson në një rikthim të ri, të rreshtuar në anën e humbësve në seri. Pyka me mbiemrin Basha që hyri mes tyre, doli pa kuptuar as vetë që luajti vetëm rolin e pykës në stinët lesheli të atdheut. Zgjedhjet e pritshme lokale duket se, përkundër logjikës normale të konsumit të pushtetit, do të afrojnë të njëjtën skemë të ndarjes së pushtetit: fituesin e vetëm që do të shpërndajë trofeun elektoral sipas vullnetit vetjak dhe humbësit që janë bërë bashkë për të bashkuar alibitë e humbjes.
Në demokraci, siç citohet ende me qejf ish-presidenti amerikan Regan, pushteti është problemi që duhet zgjidhur. Në Shqipëri, në mënyrë paradoksale, opozita nuk ka mundur të bëhet shpresë për zgjidhjen e problemit, por është ende një problem për t’u zgjidhur. Dhe arsyeja kryesore është se në emër të saj po flet jo realizmi, por dëshpërimi. Dhe dëshpërimi përdor gjithmonë mjetet e gabuara. Sot në opozitë pothuaj të gjithë i janë dorëzuar bindjes se nuk është vota mjeti i vetëm që demokracia afron për ndryshimin e ngjyrave në qeverisje. Shumëkush ka pranuar si të vërtetë pohimin se Rama i ka afruar Shqipërisë një regjim dhe se ndaj regjimit vota nuk ka vlerë dhe se fjalën duhet ta marrë dhuna dhe revolucioni dhe se në foltore duhet të ngjitet kallashnikovi. Pak rëndësi ka nëse këto thirrje vijnë nga klithmat tragjike të një të moshuare që flet për snajperë, nga pushtuesit e mendimit opozitar apo nga zërat autoritarë të medias. Këto skaje i bashkon harresa dhe bindja e verbër se përdorimi i të njëjtave mjete, herët a vonë, do të sjellë rezultat të ndryshëm. Fiks siç mendonin dikur socialistët e dëshpëruar në opozitë kur Berisha që i linte pa gjumë, ju dukej gogoli që ju trembte dhe zgjimin.
Kështu u tha kur u dogjën mandatet e opozitës. Kështu u brohorit kur u bojkotuan zgjedhjet lokale. Rezultati ishte që ata që shfaqshin si armiqtë më të egër të Edi Ramës, në këtë mënyrë u bënë garantues të humbjes së tyre duke e bërë triumfin e kryeministrit jo thjesht meritë, por efekt anësor të marrëzisë së tyre.
Duhet ndryshuar e gjitha dhe duhet ndryshuar në gjithçka. Aty ku mund të fitojë durimi, duhet shmangur nguti. Pjesa bosh e gotës ulërin duke dëshmuar se Shqipëria ka kaluar një brez njerëzor në pluralizëm duke qëndruar ende nën pushtetin e mendësive revolucionare dhe frymëzimeve sovjetike në të bërit politikë. Pjesa plot e gjysmës së gotës thotë të kundërtën duke kujtuar se tre dekada janë vetëm një hapjembyllje sysh në jetën e një kombi. Duke ulëritur se duhet një sjellje krejt tjetër. Opozita duhet të sillet sikur të jetë duke qeverisur që të ketë shanse që edhe qeverisja të mendojë nga brenda kostumit të opozitës. Duhet rishpikja e të vërtetës opozitare që nuk vjen nëpërmjet gënjeshtrës dhe refleksit patologjik: kush qeveris është armik. Që është pronar dhe jo qeramarrës i përkohshëm i të drejtës për të vendosur. Pa rilindjen e emrave të opozitës është e kotë të kërkohet ikja e rilindjes së Edi Ramës. Duhet nisur me Doktorin. Jepini Doktorin opozitës dhe do të dëgjoni vetëm breshëri të sëmura armësh dhe aromë revolucioni. Kjo është menyja e vetme që di të gatuajë Sali Berisha dhe jo për faj të tij. Njëlloj si ai deputeti ekzotik i PD-së me atlete në kokën e divanit të tij dhe këmbët zbathur nën tryezë: fasule kishte në dollap, fasule i gatoi vetes në TikTok!
“Me jepni një pikë ku të mbështetem dhe unë lëviz gjithë botën”, thoshte dikur Arkimedi me levë në dorë. Jepini qoftë dhe një pikë morali ku të mbahet opozita dhe ajo mund të lëvizë gjithë botën e ngurtësuar të pushtetit të Edi Ramës. Ndryshe, ai thjesht nuk do të fitojë sërish, por do të presë si do të rihumbasin kundërshtarët e tij.
Ke shkruajtur të vërteta therëse, që kush ka dy pare tru, nga stani opozitar, duhet ti kuptojë si VIJË SJELLJEJE, të menduari e të vepruari.
E them STANI OPOZITAR, mbasi vërtet janë bërë si bagëti me në krye, kokëlopën me këmborë që ka vendosur të vdesë, duke e ndjerë të përshpejtuar vdekjen, duke u shkaterruar mëndërisht e fizikisht deri në atrofizim të plotë….
Leksion i gatshem për studentët e gazetarisë.
Ne kohe te “hazreti Verit”, dikush beri nje pordhe rruges. Nje kalimtar i rastesishem, e degjoi dhe filloi ta ndjeke. Pordhaci, nxitoi duke shpejtuar po keshtu edhe kalimtari pergjues pordhash. Ec njeri, e ndiq tjetri. Dikur, pordhaci u lodh dhe i kethehet ndjekesit qe pse me ndjek, une nje pordhe bera. Ndjekesi i thote, bej pordhe sa te duash, por me thuaj ku i bleve GROSHËT…..
Morali i kesaje …….. ? ? ?