Nga Dritan Hila
Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve lokale, opozita shqiptare nuk mungon të japë shfaqjet e rradhës.
Janë ata që presin tek dera e Berishës për të marrë faljen nga patriarku. Këta janë zbavitës me intervistat dhe deklaratat e tyre të tipit “na fal o gjyshi i madh se na gënjeu Murat Shtaga (Luli).
Janë ata, që nuk e tradhëtuan asnjëherë, dhe që ndjehen të kërcënuar nga rradha tek dera, ndaj e forcojnë gjuhën ekstremiste deri në absurd. Të dy palët i bashkon objektivi i pritjes, që Berishën ta largojë Zoti, dhe këta të jenë sa më afër për të marrë trashëgiminë e asaj që quhet PD, por në fakt është një pjesë e saj.
Dhe siç duken bathët, rrënimi i saj do jetë i mëtejshëm me muajt që vijnë, dhe nuk është e largët dita që ajo çka do të mbetet do jetë vetëm një grumbull gurësh. E megjithatë as kjo nuk garanton se ata gurë do të mjaftojnë për të ngritur një kasolle nga mëtonjësit post-Berisha. Sepse këta politikanë në rradhë, përveçse kanë marrë damkën e ndjekësve të Berishës, nuk do jenë në gjendje të transferojnë trashëgiminë e tij në një kapital për veten.
Trashëgimia e Berishës është unike dhe si e tillë e pa trashëgueshme, pasi përbëhet nga një mishelë krahinarizmi, besimi fetar, historie politike dhe karizme, që asnjë prej mëtonjësve të trashëgimisë nuk e ka. Hane Shan Berisha dhe Hane Bagdat Salianji, Spaho, Duma apo Paloka.
E ndërkohë fraksioni i Alibeajt deklaron se e ka bërë zgjedhjen e tij duke pranuar bashkëpunim me Berishën. Pastaj etiketimet si takim shokësh apo kolegësh janë dëngla që asnjë i vonuar mendor nuk i ha. Por kjo pritet të vihet në provë në zgjedhjet lokale dhe ky është guri i provës. Nëse PD del me kandidatë të përbashkët, që do të thotë se në heshtje PD ka kandidatë unikë, atëherë i bie që e gjitha është një histori false. Nuk vlen argumenti se kjo bëhet për të frenuar Ramën. Rama e ka të sigurtë që do t’i shpartallojë në shumicën dermuese të bashkive. Këtë e di edhe opozita ndaj po përpiqet që me anë të reformës territoriale të krijojë bashki fantazëm, ku nuk kanë mbetur vetëm një dorë pensionistësh, me shpresë që të fitojë disa prej tyre.
E vetmja mënyrë që PD zyrtare të ndahej përfundimisht nga Berisha dhe t’u tregojë ndjekësve të saj se kjo ishte një ndarje përfundimtare, ishte pikërisht dalja me kandidatë të saj dhe duke e detyruar Berishën të futet në strehën e Ilir Metës. Kjo ishte e vetmja rrugë për ringritjen e opozitës, rrugë që do donte kohën e saj mbase edhe përtej 2025-ës, por që ishte një ringritje e vërtetë. Në të kundërtën gënjyen veten dhe zhgënjyen ata që i ndjekin, pasi në këtë mënyrë të gjithë fraksionet e PD lidhen fatin e tyre me jetën politike dhe biologjike të Berishës.
Teoritë për një opozitë të vërtetë që po bën Berisha janë në rastin më të mirë teori miopësh politikë. Berisha e ka mbyllur ciklin e tij dhe nuk ka Zot a fat ta ringrejë. Fati i opozitës shqiptare nuk është as në dorë të Ilir Metaj që betohet se do të jetë edhe 30 vjet këtu, deklarata që janë mot a mot si ato të Berishës që një vit përpara se të merrte rrokullimën, deklaronte në Kuvend që do ta kishim mbi kokë derisa të bëhej 100 vjeç. Këto janë klithma të dikujt që shikon tokën të rrëshqasë nën këmbë. Sikurse nuk e ringjallin dot as takimet pa bosht që bën me të Yuri Kim.
Sado jashtë realitetit të dukej tani, e vetmja shpresë për opozitën ishte shkëputja e PD zyrtare nga dy dinosaurët, epoka e të cilëve ka mbaruar. Vetëm një opozitë me karakter dhe bosht mund ta mbante gjallë shpresën për një opozitarizëm të vërtetë përballë Ramës dhe shqiptarëve. Vetëm nëse Alibeaj dhe Basha bënin betejat e tyre të vërteta, mund të plazmoheshin në kudhrën e luftës si liderë. Hyrja në lojën e cicmiceve, është e humbur. Dhe pas kësaj nuk kanë pse merakosen që Rama po shkon drejt pushtetit absolut. Në histori ka shumë shembuj sesi individë pa asnjë prirje për autoritaristë, janë bërë të tillë nga mungesa e opozitës, dhe në politikë ashtu si në fizikë, nuk mbeten hapësira bosh, ndaj çka lë bosh opozita nuk është çudi ta marrë pushteti.
Më duket analizë racionale dhe i’a vlen.