Një traktor është një nga dhuratat më të çuditshme që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka marrë sot për 70-vjetorin e tij të lindjes. Këtë dhuratë, Putin e mori nga aleati i tij bjellorus, Alexander Lukashenko. Ky i fundit e konfirmoi lajmin teksa vizitoi qytetin e lindjes së Putinit, Shën Peterburg ku u takuan për bisedime. Putin po priste për bisedimet aty liderë të tjerë të shteteve ish-sovjektike.
Lukashenko, i vetëquajtur “diktatori i fundit” i Evropës, i cili ka qenë në pushtet edhe më gjatë se lideri rus (që nga viti 1994) dhe administrata e të cilit është gjithashtu nën sanksionet perëndimore, erdhi në Shën Petersburg me një certifikatë dhuratë për automjetin e prodhuar në Bjellorusi.
“Minsk Tractor Works” është pjesë e industrisë bjelloruse. Nuk është e qartë si Putin iu përgjigj dhuratës së bërë nga aleati i tij Lukashenko. Megjithatë, është fakt që Presidenti rus, Vladimir Putin është parë shpesh në traktorë prej vitesh.
Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, tha se i dhuroi Putinit një grumbull të madh me bostan dhe shalqinj. Ndërsa liderët e tjerë nuk treguan nëse në Rusi kishin ardhur me duart bosh apo plot.
Një urim për shefin e Kremlinit erdhi edhe nga miku i tij i ngushtë, njëkohësisht një aktor mjaft i famshëm në perëndim.
“Sapo kuptova që sot është një ditë shumë e rëndësishme. Sot është ditëlindja e presidentit Putin. Thjesht mendoj se tani po jetojmë në kohë shumë të vështira, por ai është një nga liderët më të mëdhenj botërorë dhe një nga presidentët më të mëdhenj në botë”, deklaroi aktori Steven Seagal.
Madhështia i erdhi nga Çeçenia. Lideri I këtij territori brenda Federatës Ruse, Ramazan Kadyrov, organizoi një paradë masive ushtarake, duke rreshtuar mijëra forca dhe mjete luftarake në Grozny, për të festuar ditëlindjen e mentorit të tij, Vladimir Vladimiroviç Putin.
/f.s