Prokurorët në Spanjë po hetojnë një grup studentësh meshkuj të një universiteti që janë filmuar duke ofenduar dhe hedhur fjalë seksiste ndaj vajzave në Madrid.
Videot janë bërë virale, ku djemtë kanë mbushur dritaret në godinën studentore Elías Ahuja.
“K*rva, dilni nga vrimat, lepurueshe, ju jeni k*rva nimfomane”, dëgjohet një nga studentët duke thënë.
Më pas studentët e tjerë në dritare, bashkarisht, nisën të bërtasin.
“Ne nuk mund t’i tolerojmë këto sjellje që gjenerojnë urrejtje dhe sulmojnë gratë”, shkroi kryeministri Pedro Sánchez në Tëitter. “Është veçanërisht e dhimbshme të shohësh se ata që janë përfshirë janë të rinj.”
Ai bëri thirrje për “një përgjigje të bashkuar, të gjerë dhe të përbashkët duke hedhur poshtë këto sjellje seksiste”.
Gjithashtu udhëheqësi i Partisë Popullore të opozitës konservatore, Alberto Núñez Feijóo, i bëri thirrje shoqërisë “t’i japë fund këtyre qëndrime të patolerueshme seksiste”.
Prokurori publik i Madridit ka hapur një hetim për të zbuluar nëse incidenti përbën një krim urrejtjeje.
Elías Ahuja reagoi duke thënë se student që foli me gjuhë urrejtje është përjashtuar, ndërsa të tjerët që u përfshinë në këtë skandal do futen në një kurs për barazinë gjinore.
Megjithatë disa nga studentet në Santa Monica, kanë mbrojtur djemtë e përfshirë duke thënë se: “Pavarësisht seriozitetit të fjalëve të tyre, kjo është një praktikë që është një traditë midis rezidencialeve universitare, e cila ka krijuar një përshtypje të urrejtjes dhe seksizmit që nuk mund të ishte më larg nga realiteti”.
Nuk ishte e qartë se sa studente e mbështetën deklaratën, e cila u postua në rrjetet sociale.
Ángela Ruiz, një ish-banore e Santa Mónica, shkroi: “Unë isha një nga ato ‘kurvat e Monica’ dhe dëgjoja çdo ditë këto lloj britmash për dy vitet që isha në rezidencë.”
Kjo çështje vjen pasi koalicioni i qeverisë spanjolle ka bërë përpjekje për të promovuar barazinë gjinore dhe për të eliminuar dhunën ndaj grave./m.j