Gazetarja Etleva Delia deklaroi se dy vëllezërit Beqiraj, të cilët u arrestuan në kuadër të operacionit policor të koduar “Porositësi”, kanë deklaruar se janë paguar nga Kasandër Noga për të kryer një vrasje.
Në emisionin “Now” në Euronews Albania”, Delia u shpreh se Noga, i cili ndodhet aktualisht në burg në Belgjikë, kërkonte të merrte hak për vrasjen e të vëllait.
“Është një histori, të paktën nga rrëfimet që kanë bërë vetë ata, e vjetër që lidhet me një ngjarje që ka ndodhur te Sanatoriumi në vitin 2000. Ata pretendojnë që janë paguar nga Kasandër Noga, i cili tani është në Belgjikë. Është arrestuar në Vjenë për llogari të Belgjikës dhe ndodhet atje, për një plagosje.
Është një ngjarje që ndodhi për hasmëri, Kasandër Nogës i vranë vëllanë dhe mikun e tij. Më pas, u dyshua me një mikun e tij që vranë për të marrë gjakun e vëllait dhe kjo histori vazhdon. Vëllezërit Beqiraj pretendojnë që për një rast janë paguar nga ky person bashkë me 23-vjeçarin, që dyshohet të jetë vrasës me pagesë. Ishte rasti për të vrarë hasmin e Kasandër Nogës, që këta ngatërruan objektiv dhe vranë dikë që nuk kishte lidhje fare. Në lidhje me “Rrumin e Shijakut”, nuk del në skenë asgjë”, theksoi Delia.
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “Burg pa afat” për dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj si dhe për punonjësin e Policisë së Burgjeve, Flamur Bejko.
Ata dhe 10 persona të tjerë për të cilët u caktua masa e sigurisë “burg me afat 45 ditë”, u arrestuan dy ditë më parë në kuadër të operacionit policor të koduar “Porositësi”.
Në gjendje të lirë u la Fatjon Hajdari, ndërsa në kërkim janë shpallur pesë të tjerë, ndër to, edhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.
Ky i fundit është shpallur në kërkim për heqje të paligjshme të lirisë.
Dyshohet se Laho organizoi rrëmbimin e dy vëllezërve Beqiraj në autostradën Tiranë-Durrës, pasi këta të fundit po planifikonin ta vrisinin.
/a.r