Europa mund të përballet me një krizë më të madhe energjetike vitin e ardhshëm pasi rezervat për gazin natyror do të përdoren për të përballuar këtë dimër, deklaroi të mërkurën kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Pas ndërprerjes së furnizimeve me gaz nga Rusia, vendet europiane kanë mbushur në masën 90% rezervat e tyre. Por këto furnizime do të përdoren për këtë dimër dhe viti i ardhshëm mund të përbëjë një tjetër sfidë akoma më të madhe nëse situata nuk ndryshon, raporton Reuters.
Europa është mbështetur historikisht te Rusia për gazin, duke u furnizuar me rreth 40% nga ky shtet.
“Ky dimër është i vështirë, por dimri i ardhshëm mund të jetë shumë i vështirë”, tha Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Kriza e gazit dhe e energjisë elektrike ka shkaktuar rritje të çmimeve në Europë. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, shumë vende europiane kanë nisur subvencionimin për faturat e energjisë.
Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz për Europën pas sanksioneve që i janë vendosur nga Perëndimi për shkak të luftës në Ukrainë.
Europa është furnizuar vazhdimisht nga gazësjellësi Nord Stream 1, që ka dy linja të veçanta. Ekziston edhe gazësjellësi Nord Stream 2, por që nuk është vendosur kurrë në përdorim dhe nuk ka dërguar furnizime me gaz në Europë pasi Gjermania e pezulloi autorizimin pak kohë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 Shkurt 2022.
Gjermania është shteti me varësinë më të madhe të gazit rus në Europë.
/e.d