Administrata e Biden dhe aleatët e saj ndërkombëtarë po kërkojnë vota në Kombet e Bashkuara këtë javë në përpjekje për t’i nxitur sa më shumë vende të jetë e mundur që të mbështesin rezolutën historike, të paraqitur prej SHBA-së e Shqipërisë, e cila godet pretendimet territoriale të Rusisë në Ukrainë.
Zyrtarë amerikanë, europianë dhe të tjerë po përdorin telefonatat, mesazhet në WhatsApp, bisedat ballë për ballë dhe komente të herëpashershme publike për të bindur vendet që të votojnë kundër Moskës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sipas disa zyrtarëve perëndimorë dhe dy analistëve që kanë njohuri për çështjen.
Nëse miratohet, rezoluta do të nxisë përpjekjet perëndimore për të izoluar liderin rus Vladimir Putin, do të minojë argumentet e tij se është një çlirimtar dhe, në mënyrë ideale, do ta bindte atë se përshkallëzimi i luftës nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të tërheqë më shumë reagime globale.
Bashkimi Europian ka ftuar pothuajse të gjithë anëtarësimin në OKB – 188 vende – për të diskutuar projekt-rezolutën. Bjellorusia, Siria, Koreja e Veriut dhe Eritrea nuk morën ftesa, bazuar në kundërshtimin e tyre ndaj integritetit territorial të Ukrainës në rezolutat e mëparshme të OKB-së.
Një draft i dokumentit, kërkon që Moska të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe thotë se “të ashtuquajturat referendume të paligjshme” të organizuara nga Kremlini përmes të cilave pretendohet katër territore të vendit si ruse, “nuk kanë vlefshmëri sipas ligjit ndërkombëtar dhe nuk formojnë bazë për çdo ndryshim të statusit të këtyre rajoneve të Ukrainës”.(TCH)