Gjykata e Apelit ka caktuar datën për gjykimin e çështjes së Partisë Demokratike. Seanca gjyqësore do të mbahet në datën 3 nëntor në orën 10:30 dhe trupa gjykuese do përbëhet nga gjyqtaret: Irida Kacerja (relatore), Genti Shala dhe Emona Muçi.
“Ne date 3 Nentor 2022, ora 10:30, do te gjykohet ceshtja me kerkues Partia Demokratike e Shqiperise, lidhur me ankimin e saj ndaj vendimit date 18.03.2022 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane.
Trupi gjykues qe e shqyrton ceshtjen perbehet nga gjyqtaret: Irida Kacerja (relatore), Genti Shala dhe Emona Muçi.
P.s. kjo ceshtje lidhet me depozitimin e statutit dhe vendimeve te Kuvendit Kombetar te dates 17.07.2022″, thuhet në njoftim.
Vendimi erdhi një ditë pasi një grup deputetësh të Partisë Demokratike u mblodhën para Gjykatës së Apelit duke kërkuar nga togat e zeza që të shprehen për ligjshmërinë e drejtimit të partisë së tyre.
“Ne ne intereson gjykimi përfundimtar dhe marrja e një vendim final për të bërë të mundur një pikënisje të përbashkët. Nëse do caktohet Rithemelimi ne do jemi pjesë e Partisë Demokratike siç jemi sot pjesë e Partisë Demokratike. Jemi për daljen me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e vitit 2023. Gjykata e Apelit nuk shqyrtoka dot një çështje të tillë që kërkon vetëm një orë. Do uroja që Apeli ta marrë seriozisht këtë kërkesë të kërkuar nga anëtarët e PD ndryshe ka pikëpyetje shumë të mëdha. Ne nuk do të presim fund”, tha deputeti Dashnor Sula në një deklaratë për mediat.
Në kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike drejtuar gjyqtares Elona Toro, si relatore e çështjes, ata theksojnë se duhet përshpejtuar caktimi i seancës gjyqësore për shqyrtimin e ankimit pa marrë për bazë radhën e çështjeve të tjera të regjistruara në kohë më parë duke e mbështetur këtë në nenin 460 të kodit të procedurës civile.
“Të marra së bashku cenimi i këtyre lirive ka vënë në rrezik edhe rolin kushtetues të Partisë Demokratike, si forca opozitare që garanton pluralizmin dhe demokracinë përfaqësuese të cilat janë parime themelore të organizimit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në kërkesën e PD./m.j